Banorët shqiptarë në Komunën e Graçanicës kanë shprehur shqetësimin rreth diskriminimit nga ana e komunës, pasi që thuhet se po aplikohen standarde të dyfishta si i përket zbatimit të një rregulloreje për pajisjen me leje të ndërtimit.
Shqetësimet e banorëve i ka shprehur javë më parë edhe zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Graçanicës, Granit Gashi.
Gashi në një intervistë për Telegrafin ka thënë se neni 36 i rregullores së miratuar në vitin 2018 po aplikohet vetëm për banorët shqiptarë.
“Në nenin 36 të kësaj Rregullore parashihet që secila parcelë që është me destinim për ndërtim e që pronari i asaj parcele dëshiron të ndërtojë, ajo parcelë do duhet të ketë qasje direkte në rrugë publike, e që në këtë rast Komuna është i vetmi autoritet publik, i cili e bën një rrugë publike ose jopublike”, ka thënë Gashi.
Telegrafi ka kontaktuar me zyrën e Avokatit të Popullit për të parë se nëse është gati raporti të cilin e përmendi zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Graçanicës.
Në një përgjigje me shkrim nga Avokati i Popullit, është thënë se rasti është në ende në hetim.
“Rasti në fjalë është në procedura të hetimit dhe për të gjitha veprimet e ndërmarra njoftohet pala ankuese”, ka deklaruar për Telegrafin, Petrit Çollaku, zyrtar për komunikim në institucionin e Avokatit të Popullit.
Banorët shqiptarë të Graçanicës i ishin drejtuar me letra Avokatit të Popullit, Presidencës, Kryeministrisë e Ambasadave edhe para një viti, ku kishin shprehur shqetësimet për diskriminim nga ana e komunës. /Jehona Ulaj/Telegrafi/