Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtave të Autorit, është shënuar nëpërmjet postimeve në rrjete sociale nga individë e institucione. Përderisa Ministria e Kulturës ka bërë të ditur rritjen e buxhetit për librin, Shoqata e Botuesve të Kosovës sheh interesim të shtuar për lexim. E një organizatë joqeveritare ka shpalosur një raport që nxjerr të dhëna se më shumë se gjysma e popullsisë së Republikës së Kosovës nuk ndërvepron pothuajse fare me librin. “Gjuhët indigjene” është tema e kësaj Dite e shpallur nga UNESCO. Sipas Organizatës së Kombeve të bashkuara për Edukim Shkencë e Kulturë, sot flasin shumicën e gjuhëve ekzistuese në botë
Ndërsa raporti “Niveli i të lexuarit në Kosovë: Sfidat në të kultivuarit e kulturës së leximit” ka nxjerrë të dhëna që tregojnë interesim të zbehtë për lexim. Raporti i shtëpia botuese “Dukagjini” dhe organizatës “Etea” tregojnë se 16.6 për qind e qytetarëve thonë se nuk lexojnë asnjë libër në vit, derisa 38.3 për qind thonë se lexojnë vetëm 1-3 libra për vit.
“Sipas hulumtimit, 31.29 për qind e qytetarëve nuk janë në gjendje të kujtojnë asnjë prej tre librave të fundit të lexuar. 11.3 për qind mund ta përmendin vetëm një titull libri, kurse 11.37 për qind dinë t’i përmendin dy tituj. Në përgjithësi, 52.24 për qind nuk arrijnë t’i listojnë tre tituj librash në total. Kjo e fundit lë të kuptohet se më shumë se gjysma e popullsisë së Republikës së Kosovës nuk ndërvepron pothuajse fare me librin”, shkruhet në Raport. Sipas raportit, një pjesë e të cilit është shpalosur të dielën, për nivelin e ulët të leximit dhe mungesës së kulturës së leximit, qytetarët e Kosovës, në shumicë, kanë arsyetimin e njëjtë: “67.5 për qind e qytetarëve thonë se nuk kanë kohë të lirë për të lexuar dhe insistojnë se do të kishin lexuar më shumë nëse do të kishin më shumë kohë të lirë”. Prej tyre, 20.7 për qind janë përgjigjur se do të lexonin një libër në kohë të lirë, derisa 45.8 për qind preferojnë të shohin program argëtues, e 33.5 për qind që zgjedhin të bëjnë aktivitet sportiv.
Sipas “Eteas”, për të gjetur nivelin e leximit dhe kulturës së të lexuarit në Republikën e Kosovës është përdorur metoda e kombinuar, sasiore dhe cilësore. Organizata ka sqaruar se nëpërmjet anketave, fokus grupeve dhe intervistave, kanë nxjerrë të dhëna nga 14 komuna të Republikës së Kosovës. Aty përfshihen Prishtina, Obiliqi, Mitrovica, Skenderaj, Peja, Klina, Gjakova, Juniku, Prizreni, Mamusha, Gjilani, Kamenica, Ferizaj dhe Hani i Elezit. Sipas kësaj organizate, interesimi i zbehtë për aktivitetet kulturore që në qendër të vëmendjes e kanë librin përkthehet edhe në numra të ulët të mesatares së librave të lexuar për vit. Në hulumtim janë përfshirë gjithsejtë 1486 respondentë.
“Mbështetja e bibliotekave publike: Këtë vit kemi ndarë 200 mijë euro, nga mbi 6400 euro për secilën bibliotekë komunale për blerje vetanake. Sivjet nisë edhe zbatimi i Rrjetit Bibliotekar të Kosovës, akreditohet programi për aftësim profesional në bibliotekari dhe bëhet vlerësimi i gjendjes së ndërtesave të bibliotekave komunale”, shkruhet në postim.
Sipas postimit, duke e vlerësuar lart librin si një lidhje midis së shkuarës dhe së ardhmes, një urë midis brezave dhe kulturave, MKRS mbetet e përkushtuar që nëpërmjet politikave të reja të kontribuojë në këtë sektor si dhe në avancimin e kornizës ligjore për të drejtat e autorit dhe mbrojtjen juridike të këtyre të drejtave.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, ka thënë se Dita Botërore e Librit dhe e së Drejtës së Autorit i gjen botuesit në dy gjendje paralele. Sipas tij, asnjëherë s’ka pasur më shumë vëmendje dhe kujdes shtetëror për librin. “Kjo falë kujdesit të Ministrisë së Kulturës së Kosovës. Për herë të parë në historinë e Kosovës ka një buxhet të përgjithshëm të Ministrisë në vlerë monetare shumëfish më të lartë krahasuar me vitet e kaluara”, ka thënë ai. Sipas tij, në anën tjetër, e drejta autoriale vazhdon të jetë çështje e ndjeshme dhe krejtësisht e çrregullt në realitetin tonë. ka thënë se ndonëse infrastruktura ligjore është aty, zbatimi është pothuajse i papranishëm.
“Lajmi më pozitiv kur flasim për librin është niveli i lexueshmërisë te gjeneratat e reja. Ka një interes të shtuar për librin dhe leximin dhe kjo përbën lajmin kryesor”, ka thënë ai.
Nëpërmjet Facebookut, kolegëve shkrimtarë u është drejtuar kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja.
Ka thënë se është dita e shkrimtarëve dhe autorëve. Ka pasur shumë porosi.
“Shkruani bukur dhe bëjeni botën më të mirë. Ju e dini se librat janë për ëndërrimtarët, por ju e dini po ashtu se libri është një oqean fjalësh, se gjuha dhe shkrimi janë mrekulli të universit. Ju e dini gjithashtu se afër jush rrinë shumë fjalë të gënjeshtërta dhe dinake”, ka shkruar ai. Ka thënë se shkrimtarët janë të vetmit që e dinë se fjalët kanë ngjyra, që dëgjojnë si klith heshtja.
“Ju jeni të vetmit që e shihni dritën që vjen nga zemra e errësirës. Ju mund t’i shihni njerëzit në sy, derisa të pikasni dhembjen dhe trishtimin në thellësi të tyre. Sepse ju e dini se depërtimin e mendjes në gjëra të panjohura, e zbulon vetëm dhembja! Vetëm ju mund ta shihni shiun që vrapon pas një reje”, ka shkruar ai. Krejt në fund ka thënë se shkrimtarët e dinë se nganjëherë humbja është më dinjitoze se ngadhënjimi, “sepse çdo fund i lumtur është një histori që nuk ka përfunduar ende”.
Dita Botërore e Librit dhe së Drejtës së Autorit shënohet prej vitit 1995.
Vitin e kaluar ka filluar Dekada Ndërkombëtare e Gjuhëve Indigjene si një prioritet i OKB-së për të mbështetur dhe promovuar diversitetin gjuhësor dhe shumëgjuhësinë.
“Nga pothuajse 7000 gjuhët ekzistuese – shumë prej të cilave po zhduken me shpejtësi – shumica fliten nga popujt indigjenë që përfaqësojnë pjesën më të madhe të diversitetit kulturor të botës”, shkruhet në ueb-sajtin e UNESCO-s për temën e sivjetme.
“Në të vërtetë, librat janë mjete jetike për të hyrë, transmetuar dhe promovuar arsimin, shkencën, kulturën dhe informacionin në mbarë botën”, citohet të ketë thënë drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay.
© KOHA