Djali i kryebashkiakut të Laçit përplas policin me radar, ia mbath duke lënë të plagosur pasagjerët (VIDEO-FOTO)

Një aksident rrugor ndodhi këtë të enjte rreth orës 11:30 në Fushë Mamurras pranë fshatit Gjormë, në kryqëzimin e Patokut, duke lënë të plagosur rëndë një efektiv të Policisë Rrugore.

Një makinë me shpejtësi tej normave të lejuara është bërë shkaktare për përplasjen e tri makinave. Automjeti tip Benz me targë AA 111 OU drejtohej nga Kevi Allushi, i cili është djali i kryetarit të Bashkisë së Laçit Artur Bardhi (i akuzuar shpesh nga opozita për ndryshimin e emrit).

Makina e drejtuar prej tij ka përplasur dy automjete, një Ford me targë AA  602 CH në të cilën ndodhej vetëm shoferi, dhe më tej makinën e Policisë Rrugore të Lezhës, e cila ka qenë në patrullim.

Menjëherë pas aksidentit të rëndë, ku djali i kryebashkiakut duket se nuk ka pësuar lëndime serioze, ai është larguar nga vendi i ngjarjes, duke braktisur makinën dhe është shpallur në kërkim nga Policia.

Ndërkohë, një efektiv i Policisë Rrugore mbeti i plagosur rëndë, dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ai ndodhej pranë makinës që mbante radarin për matjen e shpejtësisë së makinave.

Nga përplasja u lënduan edhe dy pasagjerë që udhëtonin në Benzin e drejtuar nga Allushi. Ata ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve

“Grupi hetimor në vendngjarje po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit”, thanë burime zyrtare nga Policia. 

Babai i tij, Artur Bardhi, kryetar i Bashkisë së Kurbinit, ka pranuar në Formularin e Dekriminalizimit se, para se të njihej me gjeneralitetet që mban sot, ka mbajtur respektivisht katër emra dhe mbiemra të ndryshëm Gentian Lila, Altin Tanushi, Gent Bushi, në Bashki e njohin dhe firmos si Artur Bardhi, ndërsa në çertifikatë është Artur Ndoi, i biri i Ndues dhe Gjelës.

/Gazeta Express/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme