LEXO EDHE:
Gazetar: Miki Trajkovski
Aktivistët civilë kërkojnë që të ndalohet djegia e kallamishteve, e me këtë edhe uzurpimi i bregut të Strugës ndërsa autoritetet t’i sanksionojnë përfundimisht shkatërruesit. Kjo vjen pas rastit të fundit, kur një e treta e kallamit të liqenit është djegur në afërsi të fshatit Kalishtë, pranë bregut të liqenit të Ohrit. Muajin e kaluar në afërsi të kamping qendrës në Strugë është djegur sipërfaqe e madhe me kallamishte. Edhe atëherë edhe tani me udhëzim të Prokurorit Publik është bërë inspektim dhe në të dyja rastet kanë ndërhyrë zjarrfikësit. Autorët mbetën të panjohur, shkruan Alsat.
“Tashmë po bëhet simptomatike ndezja e kallamit gjatë fundjavës, praktikisht kur shërbimet e inspektimit nuk kanë kushte për të mbërritur në terren, ku ndodh akti i vandalizmit. Mendoj se ka disa njerëz, subjekte, që planifikojnë ta uzurpojnë terrenin”, tha Kosta Hiohi- aktivist civil
Praktika e kaluar tregon se në vendet e djegura më vonë mbijnë plazhet, restorantet apo tokat e punueshme, thonë aktivistët. Dhe kjo që po ndodh mund të ndalet lehtësisht sepse ka ligje.
“Ka ligje për mbrojtje, por nuk ka vullnet për të vepruar sipas atyre ligjeve. Kjo djegie e kallamit është në fakt një uverturë për hapin tjetër, që bëhet nga njerëz të caktuar, dhe ajo është tamponimi”, tha Nestor Jauleski – biolog
Biologët paralajmërojnë se shkatërrimi i kallamishteve do të thotë ulje e cilësisë së ujit të liqenit dhe humbja e habitatit të disa organizmave të liqenit. Ky është rasti i dytë i djegies së kallamishteve në vetëm dy muaj, pasi një sipërfaqe prej 10 mijë metrash katrorë me kallamishte u dogj në fillim të janarit në shtrirjen midis Strugës dhe fshatit Kalishtë. Dëme të mëdha u shkaktuan edhe pranverën e kaluar. /Alsat.mk