Djuric kërcënon Prishtinën dhe serbët e Kosovës

Drejtori i Zyrës për Kosovë, Marko Djuric, ka thënë se serbët në Kosovë kanë qenë dhe mbeten unik.

 

Sipas tij, ata që përpiqen që të minojnë nga brenda këtë unitet do të bartin pasoja.

“Unë shpresoj se ky ishte mësim i mjaftueshëm për të gjithë ata që mund të mendojnë se është e mundur të jesh përfaqësues politik i popullit serb në Kosovë dhe të punosh pa konsultime me Qeverinë e Serbisë dhe kundër vullnetit të popullit serb në krahinë. Situata, në aspektin politik, duhet të kthehet në gjendjen e mëparshme, dhe për pasojat e mëtejshme politike do t’i mendojmë pasi që në fazën e parë të anulojmë dëmin e shkaktuar nga papërgjegjshmëria e individëve”, tha Djuric në intervistën e Vitit të Ri me të përjavshmen “Jedinstvo”, raporton Gazeta Express.

Sipas tij, “kur serbët u mblodhën në një front të fortë dhe të unifikuar politik, kjo i përkujton promovuesit e vetëshpallur të Kosovës se projekti i shtetësisë së rrejshme të Kosovës është i paarritshëm për sa kohë që gziston shteti i Serbisë dhe serbët në Kosovë”.

“Është e qartë se populli serb i ndarë dhe politikisht i përçarë në Kosmet shkoi më së shumti në interesat e tyre, dhe kjo është arsyeja pse këtë përçarje nganjëherë ata e prodhojnë me mjete të ndryshme. Por populli serb i ka interesat e veta, e ai është që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë. Derisa është kështu, asnjë politikan serb në Kosovë nuk do të guxojë të llogarisë në atë se do të jetë në gjendje që për të holla ose privilegje të tradhëtojë interesat nacionale serbe dhe të kalojë pa pasoja”, ka thënë Djuric.

“Pasqyra e unitetit të popullit serb në Kosovë dhe Metohi”, siç shpjegoi ai, ”është formimi i Bashkësisë së komunave serbe”.

“Edhe një herë, porosis me zë të lartë dhe qartë: Në qoftë se Prishtina deri në Sretenja nuk e formon Bashkësinë e komunave serbe, do t’a formojnë ne … serbët në Kosovë janë duke pritur qe tri vite që Prishtina të fillojë zbatimin e marrëveshjes që është vendimtare për popullin tone. Sigurisht që nuk mund të presë përgjithmonë”, ka thënë Djuric.

Siç theksoi ai, “tri vite të minimit dhe justifikimeve pa vend janë prapa nesh, dhe populli serb, nëse angazhohet vetë  në formimin e BKS, ndër të tjera, do të dalë në mbrojtje të kuptimit të dialogut të Brukselit, duke qenë se dialog kuptimplotë nuk mund të ketë nëse fjala e dhënë dhe angazhimet e marra nuk respektohen”.

“Dëshira e Prishtinës në Bruksel që të marrë diçka dhe të mos japë asgjë dëshmon papërgjegjshmërinë, papjekurinë dhe mungesën e besueshmërisë së aktorëve politikë vendas. Sigurisht që kështu nuk mund të mirremi vesh. Është cinizëm i madh që këto ditë nga Prishtina vijnë mesazhe kërcënuese dhe paralajmërime të të ashtuquajturit revolucion i drunjve. E unë u them atyre se drunjtë dhe barrikadat nuk vendosen aty ku ka kapacitet institucional për zgjidhjen e problemeve. Serbët vetëm duan që në BSK të kenë një kornizë të vlefshme institucionale për rregullimin e jetës së tyre në Kosovë, por Prishtina është ajo që ua mohon këtë te drejtë” tha Djuric./GazetaExpress.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme