Maksim Çela, anëtar i bandës së Aldo Bares në Lushnjë, ka apeluar vendimin e autoriteteve britanike për dëbimin e tij në Shqipëri, me pretendimin se në atdhe i rrezikohet jeta.
59-vjeçari Maksim Çela, i cili jeton lirisht në rrugët e Britanisë pasi kreu 23 vjet burg për vrasjen e policit Klenti Bano dhe tentoi të hidhte në erë me bombë një stadium futbolli 12,000 vendesh në vitin 2000 në Lushnje, ka dalë para gjykatës për të dhënë argumentet e tij.
Sipas mediave britanike, Çela pretendon se nuk mund të kthehet në Shqipëri sepse bandat do të komplotojnë hakmarrje kundër tij.
Ai pretendon se ishte dënuar gabimisht për krimet e tij dhe se ndjekja e tij kishte qenë e motivuar politikisht.
Por, avokatët e Home Office thonë se 59-vjeçari është një ‘terrorist i dhunshëm’ i cili duhet të deportohet. Avokatët gjithashtu besojnë se Çela e shpiku historinë e tij, pasi mësoi se nuk do të ishte në gjendje të kërkonte azil.
Në dëshminë e tij, Maksim Çela, i cili ka lindur në Lushnje, argumenton se ai ka qenë biznesmen dhe drejtonte një dyqan shitjesh makinash në Gjermani, dhe se ka punuar gjithashtu në një klinikë dentare dhe një spital.
Ai fillimisht u burgos me pesë vjet nga një gjykatë shqiptare, pasi komploti i tij për të shpërthyer një bombë në një stadium doli në dritë në vitin 2001.
Gjykata dëgjoi se Çela u dënua me 25 vjet burg në shtator 2006 për ‘pjesëmarrje në organizata kriminale’, vrasjen e një oficeri policie dhe prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve.
Ai u lirua në dhjetor 2022, pasi kishte kryer më shumë se 23 vjet nga dënimi i tij 25-vjeçar.
Në dhjetor 2022 ai u largua nga Shqipëria për në Spanjë, udhëtoi për në Itali dhe më pas fluturoi për në Mbretërinë e Bashkuar me atë që ai pranoi se ishte një pasaportë false, duke mbërritur në Heathroë në janar 2023.
Kur u intervistua fillimisht nga Zyra e Brendshme, Çela pretendoi se tre grupe të tmerrshme bandash i ishin vënë pas atij dhe familjes së tij sepse ishte anëtar i bandës së Lushnjes’.
Një letër drejtuar Zyrës së Brendshme të shkruar në emër të tij, ai thoshte se anëtarët e bandës rivale do ta ‘ekzekutonin për hakmarrje’ nëse ai kthehej.
Çela që atëherë ka ndryshuar historinë e tij, thonë avokatët e Home Office, duke pretenduar se ai kurrë nuk ishte me të vërtetë një anëtar i bandës, por ishte krijuar.
“Ishte i motivuar politikisht,” tha Cela në seancë, përmes një përkthyesi.
“Unë isha thjesht një biznesmen,” shtoi ai.
Shqiptari i tha gjykatës se kishte katër tentativa për ta vrarë gjatë kohës që ishte në burg. Zyra e Brendshme thotë se ai e ka ekzagjeruar kërcënimin nga bandat rivale dhe mund të marrë mbrojtje nga autoritetet shqiptare ose të zhvendoset në një zonë tjetër të vendit nëse deportohet.
Përfaqësuesi i Home Office, Paul Skinner, iu drejtua Çelës: “Është e vërtetë që je një person që bën dhe thotë gjithçka që do për të arritur atë që do, apo jo? Në të vërtetë, dëshiron të jesh në Mbretërinë e Bashkuar për të qenë me gruan dhe vajzën tënde, dhe je i gatshëm të bësh çfarëdo që është e nevojshme për të qëndruar. Shteti shqiptar po merr masa për të hequr rreziqet që mund të hasë zoti Çela.”
Kërkesa për azil e Çelës u refuzua nga një gjykatës në gjykatën e parë për çështjet e emigracionit, por një kërkesë e veçantë që jetën e tij e kanosnin bandat rivale u pranua.
Kërkesa e tij u bazua në Nenin Tre të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, i cili ndalon “torturën, trajtimin ose dënimin çnjerëzor ose poshtërues”.
Pas një apelimi nga Home Office, një panel gjykatësish e anuluan vendimin, duke gjetur se kishte pasur një “gabim ligjor”.
Tani, pritet që Gjykata e Nivelit të Lartë të marrë një vendim nëse Çela mund të qëndrojë apo jo në Mbretërinë e Bashkuar.