Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, ka marrë vendimin për të lënë në burg avokatin Alban Bengasin, i cili do të paguante Nuredin Dumanin vlerën prej 120 mijë euro, për vrasjen e ish-gruas.
Apeli i GJKKO-së ka marrë vendimin për të dënuar Bengasin me 7 vite heqje lirie, por duke përfituar nga ulja e dënimit me 1/3-ën e saj, ai do të vuajë përfundimisht 4 vite dhe 8 muaj burg.
Vuajtja e tij e dënimit do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
Alban Bengasi akuzohet për kryerje të veprës penale “Dhuna në familje” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Ngjarja ka ndodhur më 30 janar 2020, kur rreth orës 11:15 të paradites, në Rrugën “Mihal Grameno”, Tiranë, në momentin kur Blerta Bengasi (Ruçi), ka hyrë në automjetin e saj, është dhunuar nga një person, i cili e ka goditur shumë herë me grushte në pjesën e fytyrës dhe mbrapa koke, duke i shkaktuar dëmtime në pjesën e hundës, dhe të gojës tek dhëmbët. Më pas, e dëmtuara Blerta Ruçi, ka njoftuar policinë lidhur me ngjarjen e ndodhur.
Hetimet e kryera nga SPAK, bënë të mundur identifikimin e personave që kanë bashkëpunuar për dhunën e ushtruar ndaj shtetases Blerta Ruçi, si dhe rolin e secilit person të përfshirë.
Konkretisht, Alban Bengasi për shkak të konflikteve familjare, ka qenë porositësi i aktit të dhunës, i bashkëhetuari Festim Qoli, është personi që ja ka ofruar si “punë”, të pandehurit Nuredin Dumani, dhe më pas ka mundësuar takimin ndërmjet të pandehurve Alban Bengasi dhe Nuredin Dumani.
Dumani, është personi që ka kryer ndjekjen e Blerta Bengasit, për të mësuar intinerarin e lëvizjeve dhe përditshmërinë e saj, dhe i bashkëhetuari Eljo Bitri është ekzekutori, personi i cili ka goditur shtetasen Blerta Bengasi, ditën e ngjarjes.
KOMUNIKIM PËR MEDIAN
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Dhimitër Lara (anëtar), dhe Engert Pëllumbi (anëtar), më datë 07.11.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 43 akti, datë 17.07.2024 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe mbi ankimit e ankuesit/të pandehurit A.B., kundër vendimit nr. 31, datë 09.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:
- Deklarimin fajtor të të pandehurit B. për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 130/a-1 dhe 25 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
- Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit B. për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal” të parashikuar nga neni 333/a/2 të Kodit Penal.
- Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, të pandehurit B., i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim.
- Vuajta e dënimit fillon nga dita e ekzekutimit të vendimit të caktimit të masës së sigurimit arrest në burg, në mungesë të këtij shtetasi.
- Në aplikim të nenit 190 të K.Pr.Penale, të pandehurit B. ti kthehet pasaporta e sekuestruar ditën e ndalimit të tij.
- Shpenzimet procedurale në fazën e hetimeve paraprake në shumën 14,598 katërmbëdhjetë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e tetë) lekë dhe ato gjyqësore, mbeten në ngarkim të të pandehurit.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
- Ndryshimin e Vendimit nr. 31, datë 09.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Z. A.B. për kryerjen e verës penale të parashikuar nga neni 130/a paragrafi i parë në lidhje me nenin 28 paragrafi i katërt dhe nenin 334 pika 1 të Kodit Penal, duke caktuar si dënim masën prej 7 vjet burgim.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Z. A.B. për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga paragrafi i dytë i nenit 333/a të Kodit Penal, duke caktuar si dënim masën 3 vjet burgim.
- Në bazë dhe për zbatim të paragrafit të tretë të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve në një dënim të vetëm në masën 7 vjet burgim.
- Në bazë dhe për zbatim të pikës 1 të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, uljen e dënimit me një të tretën e tij, duke mbetur përfundimisht 4 vjet dhe 8 muaj burgim.
- Vuajtja e dënimit me burgim të kryhet në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë.
- Shpenzimet e procedimit penal i ngarkohen të pandehurit Z. A.B..
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.