Presidenti Donald Trump fillimisht rezistoi për të mos e publikuar mesazhin ku pranonte humbjen në zgjedhje.
Por ai u tërhoq pasi një avokat i Shtëpisë së Bardhë i tha se mund të përballej me akuza ligjore për nxitjen e turmës.
Sipas New York Times, Trump pranoi të dilte me deklaratën e të enjtes në mbrëmje pasi këshilltari ligjor, Pat Cipollone e paralajmëroi se rrezikonte padi ligjore.
Departamenti i Drejtësisë tha të enjten se nuk e përjashton mundësinë që të ngrejë akuza kundër presidentit Trump për rolin e tij të mundshëm në nxitjen e kryengritësve që pushtuan Kapitolin.
Një oficer policie humbi jetën gjatë trazirave, çka e komplikon edhe më shumë situatën.
Demokratët nga ana e tyre po shqyrtojnë mundësinë që të nisin sërish procedurat për shkarkimin e Donald Trump.
Por republikani Kevin McCarthy u ka bërë thirrje që të mos e vazhdojnë këtë iniciativë, pasi ndarjet në vend do thellohen akoma më shumë.