Dogana e Kosovës ka marr vendim për largim nga puna të zyrtarit doganor, ndaj të cilit është në vijim procesi gjyqësor penal në Gjykatën Themelore në Pejë.
Kështu bëhet e ditur në një njoftim për media të Doganës së Kosovës.
“Dogana e Kosovës është mirënjohëse për Prokurorinë Themelore që është duke bërë ndjekjen dhe për faktin se kanë siguruar provat, të cilat ka administruar Dogana e Kosovës në procedurë administrative”, thuhet në njoftim, ndërkaq nuk bëhet e ditur emri i zyrtarit doganor që tashmë është larguar nga puna.
Sipas Doganës së Kosovës, provat e administruara janë të qarta për të besuar se zyrtari doganor gjatë ushtrimit të detyrave të punës ka bërë shkelje serioze të kodit të etikës, e të cilat janë të pa pranueshme për sistemin e standardeve dhe vlerave që përfaqëson Dogana e Kosovës si institucion publik.
“Dogana e Kosovës është në shërbim të interesit publik dhe zyrtarët janë të trajnuar për të ushtruar detyrat e punës në mënyrë profesionale, duke pasur në konsideratë përgjegjësinë për të përmbushur misionin e Doganës së Kosovës, që i shërben mbrojtjes së qytetarëve, ekonomisë dhe përfaqësimit dinjitoz të autoritetit ligjor. Çdo devijim nga kjo do të jetë i dënueshëm pa përjashtim”, thuhet më tej.
Dogana e Kosovës fton qytetarët të njoftojnë secilin rast të sjelljes jo etike të zyrtarëve doganor në numrin e telefonit 080050095.
Po ashtu në njoftim thuhet se Dogana e Kosovës rishtazi ka lansuar aplikacionin eDogana për pajisjet android, i cili mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve jo profesionale me komunikim të sigurt dhe gjithashtu ofron shërbime tjera, që synojmë t’i zgjerojnë në të ardhmen, me qëllim të shërbimit të qytetarëve dhe komunitetit të prodhuesve dhe tregtisë në përgjithësi.