Drejtoria e Doganave informon se është parandaluar kontrabandimi i një sasie të madhe vegla pune, si dhe aksesorë për celularë në vlerë të përgjithshme prej 355 mijë denarë (5.762 euro), të cilat dy shtetas të Maqedonisë u përpoqën t’i fusin ilegalisht në vend përmes vendkalimit kufitar Bllacë.
“Për shkak të dyshimeve, automjetet janë përzgjedhur për kontroll të detajuar. Në bagazhin e një automjeti janë zbuluar vegla dore dhe industriale në vlerë të përgjithshme prej 83.841 denarë (1.360 euro), të cilat personi nuk i ka deklaruar në organet doganore, me të cilat ka dashur të shmang pagesën e detyrimeve doganore dhe TVSH-së. Shuma totale prej 16.241 denarë (263 euro). Në automjetin e dytë, pranë ulëses së pasagjerit dhe pas tij, si dhe në bagazh, janë zbuluar 453 aksesorë për celularë – kufje, karikues, kabllo për karikues, karta memorie… Vlera e përgjithshme e aksesorëve për celularë të padeklaruar është 271.167 denarë (4.401 euro), për të cilat personi është dashur të paguaj gjithsej 51.547 denarë (836 euro) për doganë dhe TVSH”, thonë nga Drejtoria e Doganave për të shtuar se malli është sekuestruar, ndërsa ndaj personave janë ngritur kallëzime përkatëse.