Një rast i paprecedentë, se si familja Xhaferri u bë pronare, por edhe milionere e një trualli e cila jo vetëm nuk i përkiste, por me shumë skenarë arriti ta shtinte në dorë. Truall në qendër të Tiranës ku po ngrihet një nga kullat më luksoze të qytetit, “Syri i Tiranës”. Kullë e cila po ndërtohet nga Armand Lilo, i shumëpërfolur për lidhjet e tij me socialistin Fatmir Xhafaj.
Ky truall, me një vendim të kundërligjshëm, abuziv, dhe tejet flagrant me nr.1366 Vendimi, datë 02.06.2015 të Gjykatës së Apelit Tiranë, e përbërë nga një trupë gjykuese:
(1) Fatmira Hajdari (Kryesuese);
(2) Egmond Gogu (Anëtar);
(3) Gramoz Levanaj (Anëtar);
Dy prej të cilëve janë larguar nga procesi i vetingut, Fatmira Hajdari – me shkarkim; Gramoz Levanaj – me dorëheqje, Egmond Gogu – dalë në pension.
I kaloi në pronësi të ashtuquajturit “Tarikati Islamik Halvetian”, i cili në të gjitha proceset gjyqësore u asistua dhe mbështet financiarisht nga familja Xhaferri – Konkretisht:
(1) Fatmir Xhaferri;
(2) Liljana Xhaferri – bashkëshortja;
(3) Mirlinda Xhaferri Heirdon – e bija.
“Tarikati Islamik Halvetian”, u bë pronar mbi një truall në sipërfaqje 1.185 m2, mu në mes të Tiranës, ku sot po ngrihet Godina “EYE OF TIRANA”.
Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga kjo trupë gjykuese, e cila me keqdashje dhe qëllime abuzive i mohoj KMSH të drejtën mbi këtë pronë, kur gjithë dokumentacioni arkivor provonte të kundërtën.
Në historikun e saj, kjo pronë ishte në pronësi (zotënim) të Komunitetit Mysliman Shqiptar (KMSH).
Të gjitha dokumentet arkivore hedhin dritë qartë dhe pastër mbi origjinën e pronës, që i përkiste dhe i përket Komunitetit Mysliman Shqiptar, që nga viti 1918.
Në bazë të një Marrëveshjeje Mirëkuptimi nr.4697 Prot., datë 11.12.2015 lidhur midis Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe Arkivit Qendror të Shtetit, me qëllim kryesor digjitalizimin e fondit arkivor “Komuniteti Mysliman” në Arkivin Qendror të Shtetit, KMSH ka arritur të sigurojë:
1. Vendimin e Këshillit të Vakëfit nr.85, datë 15.07.1918 mbi bazën e të cilit është realizuar transkripti i pronës në Regjistrin Hipotekor nr.221, datë 20.03.1919. Kjo pronë e njohur me emërtimin: Emri i Vakufit: “Vorrezat e Adem Idrizit”, dhe kufitarët: Me një anë xhadja e Kavajës, tjetër anë vorret e jevgjve; dhe me dy anë xhadja e gastrës; Dynym 5: Vërejtje Vakfi islamijes.
2. Në dokumentet arkivore të AQSH, të titulluar “Lista Klerikëve dhe të Teqeve të Harikatit Halveti”, për të gjitha rrethet e vendit, për vitet 1931, 1938, 1942, 1951, 1954. Në as edhe një listë, nuk figuron pronë, në pronësi të Sektit Halveti, në qytetin e Tiranës, e emërtuar si ‘teqe’.
3. Tarikati Halevian, ka qenë pjesë e Komunitetit Mysliman, prej themelimit të tij deri në vitin 1967, vit në të cilin feja u shpall e jashtëligjshme nga shteti komunist i asaj kohe. Kjo provohet qartë edhe nga Dekreti i kohës nr.4337, datë 13.01.1967, ku Tarikati Halveti ka qenë pjesë e Komunitetit Mysliman.
– Prova të tjera shkresore të nxjerra nga AQSH, hedhin dritë mbi këto fakte:
a) Punonjësit dhe klerikët e Harikatit Halveti, në vazhdimësi janë paguar nga fondet e Komunitetit Mysliman (AQSH F.482 V.1951 D.3, Fl.68).
b) Konfimimi i Sheh Ali Pazari, si Kleriku i Harikatit Halveti, është realizuar nga Kryesia e Komunitetit Mysliman. Provuar kjo me shkresën që Komuniteti Mysliman i kohës i drejtonte Ministrisë së Drejtësisë (AQSH F.482 V.1938 D.13, Fl.53-54).
c) Gjithashtu, edhe vendimet e Kryesisë së Sektit Halveti, që të mernin vlerë duhet të miratoheshin nga ana e Kryesisë së Komunitetit Mysliman (AQSH F.482 V.1951 D.2, Fl.6-7-8).
d) Një dokument tjetër, mjaft i rëndësishëm hedh dritë mbi faktin e thjeshtë se Sekti Halvetian është pjesë e Komunitetit Mysliman (AQSH F.149 V.1937 D.V-636, Fl.4).
e) Statuti i vetë Komunitetit Mysliman, parashikonte shprehimisht se të pesta sektet: Halveti; Kadiri; Rifai; Sadi; dhe Tixhani administroheshin financiarisht dhe fetarisht drejtpërdrejtë nga Kryesia e Komunitetit Mysliman (AQSH F.482 V.1951 D.3, Fl.277).
f) Së fundimi, dhe më kryesorja në rrjedhën kronologjike të fakteve është: Rregullorja e Sektit Halveti miratuar me Vendimin nr.330, datë 25.04.1951, të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, e cila në nenin 1 të saj konfirmon dhe sanksionon shprehimisht “Sekti Halveti mvaret prej Komunitetit Mysliman” (AQSH F.490 V.1951 D.659, Fl.2-5).
Në kundërshtim të hapur me faktet dhe rrethanat, Gjykata e Apelit Tiranë e përbërë nga një trupë gjyqësore plaçkitëse, që sot është larguar me turp, por e pandëshkuar nga procesi i vetingut, e bazoi vendimmarrjen e saj në një të ashtuquajtur “Kongres i Shelerëve”, i 21 gushtit 1921 i cili nga pikëpamja ligjore nuk mund të kishte as edhe një efekt mbi mënyrën e administrimit dhe të zotërimit të pronave, për faktin e thjeshtë se ai nuk mund të provonte as edhe një efekt juridik me pasoja ligjore.
Gjykata e Apelit, pa një analizë ligjore të fakteve dhe rrethanave, dhe në kundërshtim të hapur me ligjet e kohës të cilat ajo duhet t’i analizonte dhe interpretonte në zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje, dhe duke injoruar zgjidhjen e drejtë e cila ishtë dhënë nëpërmjet Vendim NR.9744, datë 09.10.2014 të Gjykatës së Rrethit Tiranë, mori një vendim haptazi të kundërligjshëm, dhe me pasoja shumë të rënda financiare, si kundrejt Komunitetit Mysliman, ashtu dhe kundrejt pronës shtetërore.
Pra një abuzim i hapur financiar dhe ekonomik, duke i grabitur shtetit plot 1.1850 m2, në mes të Tiranës, në një nga vendet me të privilegjuara.
Argumentet se një Sekt, dhe konkretisht Sekti Halvetian, nuk mund të zotëronte/ kishte në pronësi prona, lidhen ngushtë edhe me natyrën e vetë sektit, të njohura botërisht dhe ndërkombëtarisht në analet religjose.
Gjykata e Apelit Tiranë, duke injoruar mënyrën e krijimit të teqeve si vende kulti dhe çështjet e pronësisë së tyre, me keqdashje keqinterpretoi nenin 40 (Art.40) të Statutit të Komunitetit Mysliman Shqiptar të vitit 1929, i cili në Kapitullin e VIII-të të tij flet për vakëfet myslimane, dhe përcaktonte në mënyrë eksplicite: “Gjithë vakëfet Myslimane janë pasuri e Komunitetit dhe administrohen direkt prej Drejtorit të Përgjithshëm”.
Në rastin konkret, të gjitha dokumentet e kohës provojnë, se ndodhemi përpara një prone e cila ishte në pronësi të KMSH, provuar kjo edhe me vërtetimin e pronësisë datë 30.04.1994, lëshuar nga Hipoteka Tiranë.
Në këtë vërtetim pronësie, radhiten njëri pas tjetrit prona nga nr.221, 222, 223, 224 dhe në vazhdim të cilat mbajnë të njëjtën datë transkripti 20.03.1919 dhe ndodheshin në të njëjtën zonë Kadastrale e njohur si “Lagjja e re e Tiranës”.
Ky Vërtetim i Pronësisë, datë 30.04.1994, lëshuar nga Hipoteka Tiranë, ka një rrjedhë kronologjike dhe rendore, e cila përmban të njëjtën datë transkripti 20.03.1919 dhe evidenton qartë se këto prona ishin në pronësi të KMSH, dhe vendodhjet e tyre, siç është në rastin konkret “teqja e Adem Idrizit”, janë thjeshtë toponime, që tregojnë se ku ndodhet prona dhe jo kush është pronari, dhe sipas Statutit të vitit 1929, Kaptina VIII-të, Art.40: “Gjithë vakëfet Myslimane janë pasuri e Komunitetit dhe administrohen direkt prej Drejtorit të Përgjithshëm”.
Krahas sektit Halveti; kanë ekzistuar edhe katër sekte të tjera (1) Kadiri; (2) Rifai; (3) Sadi; dhe (4) Tixhani, por as edhe njëri nga këto nuk ka kërkuar të drejta pronësore mbi ato prona që ishin në pronësi të KMSH, sot e kësaj dite.
Pse sekti Halveti, duhet të kishte prona të tij, që de jure dhe de facto ishte e pamundur, sipas gjithë kuadrit ligjor të kohës???
Mbi bazë të dokumentacionit të paraqitur nga KMSH, në zbatim të ligjit të kohës për kthimin dhe kompensimin e pronave, u realizuan edhe vendimmarrjet e mëposhtme:
– Me Vendimin nr.345, datë 24.09.2000 KKKP i njohu të drejtën KMSH, për t’i kthyer sipërfaqjen e trualli 3534 m2, e cila figuronte e regjistruar në Regjistrin Hipotekor nr.221, datë 20.03.2019, në emër të KM.
– Me Vendimin nr.1, datë 11.01.2008 të AKKP, Agjencia vendosi që në zbatim të Vendimit nr.459, datë 21.02.1996 dhe Vendimit nr.345, datë 24.09.2000 të kompensojë fizikisht subjektin e shpronësuar KMSH, me një sipërfaqje truall .185 m2.
– Me VKM me nr.891, date 19.12.2007 “Për kalimin e një sipërfaqje pronë shtetërore, në fondin e kompensimit fizik dhe vënien e saj në dispozicion të AKKP”, u vendos që sipërfaqja e truallit prej 1.185 m2, pronë shtetërore me vendodhjet përkatëse do të kalonte në kompensimin fizik të AKKP. Kjo sipërfaqe do të shërbejë për kompensimin fizik të KMSH, të pronës së njohur me vendimin nr.459, datë 21.02.1996, dhe vendimit nr.345, datë 24.09.2000 të ish-Komisionit të KKP, Tiranë.
– Me VKM nr.1036, datë 14.10.2009 “Mbi shfuqizimin e Vendimit nr.891, datë 19.12.2007 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin e një sipërfaqe pronë shtetërore, në fondin e kompensimit fizik dhe vënien e saj në dispozicion të AKKP”.
Por VKM nr.1036, datë 14.10.2009 “Mbi shfuqizimin e Vendimit nr. 891, datë 19.12.2007 të Këshillit të Ministrave, tregon qartë se prona do t’i kthehej përsëri Shtetit.
Institucionet përkatëse, që do të merreshin me zbatimin e këtij vendimi do të ishin: Ministria Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Bashkia Tiranë dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Palujatshme.
Këtu, dalin edhe një sërë pyetjesh:
– Si ky trup gjykues, nuk mori në konsideratë VKM nr.1036, datë 14.10.2009 “Mbi shfuqizimin e Vendimit nr.891, datë 19.12.2007 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin e një sipërfaqje pronë shtetërore, në fondin e kompensimit fizik dhe vënien e saj në dispozicion të AKKP”, por vazhdoi gjykimin mbi një pronë e cila ishte në pronësi të shtetit?
– Si Sektit Halveti, arriti të siguronte pronësinë mbi një pronë, për të cilën ai nuk kishte një titull pronësie, mbi çfarë dokumentesh pronësie ai arriti të provonte titullin e tij origjinal të pronësisë? A ishte i mjaftueshëm vetëm një vendim i “Kongresit të Shelerëve” i 21 gushtit 1921, që prona i takonte këtij Sekti?
– Si familja Xhaferri, u bë pronare mbi një pronë e cila ishte “pronë shtetërore”?
– Si arriti familja Xhaferri (mbështetësja e Tarikatit Islamik Halvetian), ta regjistronte këtë pronë në ZRPP, Tiranë, e cila ndodhet në Zonën Kadastrale me nr. 8380, Pasurie nr.2/338, Vol.28, faqe 84?
Por kjo pronë tashmë i ka kaluar familjes “Xhaferri”, pjesëtarëve të saj:
(1) Fatmir Xhaferri;
(2) Liljana Xhaferri – bashkëshorjtja;
(3) Mirlinda Xhaferri Heirdon – e bija,
të cilët nëpërmjet kompanive të ndryshme, të krijuar si ortakë dhe administratorë, kanë realizuar transaksione abuzive, flagrante, kundërligjore, duke vjedhur dhe grabitur një pronë e cila është “pronë shtetërore”.
Familja “Xhaferri”, në marrëveshje të dyshimta me drejtuesin e “Tarikati Islamik Halvetian”, Sheh “Ali Pazari arriti të lidhë kontratën abuzive të shkëmbimit të pasurive të paluajtshme, NR.1791, REP. DHE NR.582 KOL, DATË 03.04.2017, sipas së cilës pala Liljana XHAFERRI, pronare në dy sipërfaqe bodrumesh njëri përkatësisht 260 m2, dhe tjetri 220 m2, do të shkëmbeheshin me pronën e ndodhur në Zonën Kadastrale me nr. 8380, Pasurie nr.2/338, Vol.28, faqe 84, me sipërfaqe 1185 m2, me adresë Rruga e Kavajës, Certifikatë Ponësie me nr.serie 145305, datë 21.02.2017.
Si ishte e mundur, që një Tarikat, i cili organizohet dhe vepron në bazë të Statutit të miratuar me Vendimin nr.236, datë 28.01.1998, të Gjykatës së Rrethit Tiranë, për çdo veprim juridik që ka të bëjë me tjetërsim apo administrimin e pasurive të tij, ku duhet patjetër miratimi nga Kryesia e Tarikat, realizon shkëmbimin (tjetërsimin e pronës) vetëm nga drejtuesi i tij? A është e mundur një drejtues, të këtë tagër që të tjetërsojë pronën e një komuniteti pa pëlqimin dhe miratimin e organeve kolegjiale?
Në shkelje të plotë të këtyre rregullave, Drejtuesi i Tarikatit Sheh “Ali Pazari i kalon pronësinë familjes “Xhaferri”, dhe në këmbim ai merr vetëm dy bodrume, të provuar kjo me Kontratën e sipërcituar, një veprim shumë i dyshimtë, i cili hedh hije mbi paligjshmërinë e tij?
Me të drejtë dalin pyetjet:
1. Si një pronë me sip.1185 m2, në qendër të Tiranës, të shkëmbehet me dy bodrume, me sip. 260 m2 dhe 220 m2?
2. Juridikisht kjo pronë, ishtë pronë e Sektit Halvetian?
3. Veprimi juridik i shkëmbit është realizuar në kushtet e mashtrimit, kanosjes, apo nevojës së madhe, nga Familja XHAFERRI?
Çfarë fshihet pas gjithë këtyre veprimeve të kundërligjshme??? Pa dyshim, ky është një nga veprimet më abuzive në drejtim të trajtimit dhe kompensimit të pronave në Shqipëri.
Vjedhja e një pasurie shtetërore, e cila edhe sot e kësaj dite nuk ka marrë dritë, nxjerr në pah, jo vetëm “kalbëzimin dhe korrupsionin në vite” të pushtetit gjyqësor, akoma të pandëshkuar, por edhe “grykësinë e pafundme” të familjes “Xhaferri”, për të vjedhur dhe përvetësuar pronën shtetërore.
Dosja “Partizani” ???? Një fluskë sapuni përpara dosjes “Xhaferri”.
SPAK duhet të hetojë për abuzimin me një pronë në qendër të Tiranës./CNA