Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u la në masën arrest me burg në datën 13 mars. Sipas vendimit të zbardhur nga Gjykata e Posaçme e Apelit, kjo masë sigurie u konfirmua mbi arsyetimin se Veliaj paraqet rrezik real për pengimin e hetimeve.
Por në arsyetim gjykata thekson se ka dyshime se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa dhe biznesmeni Elman Abule kanë vepruar si një grup kriminal, duke përfituar të mira materiale.
Por pavarësisht kësaj, gjykata shprehet se një formë e tillë bashkëpunimi ende nuk iu është atribuuar këtyre personave në hetim dhe për këtë arsye, nuk do të merret parasysh në këtë moment nga gjykata.
“Në këtë kontekst, gjykata vëren se bashkëpunimi i personave nën hetim Erion Veliaj, Ajola Xoxa dhe Elman Abule ka tiparet e një bashkëpunimi te posaçëm, atij te grupit te strukturuar kriminal, i normuar nga neni 28/4 i Kodit Penal, duke qenë se përmbushen kriteret e pluralitetit të personave (tre persona), kryerjes së veprimtarisë kriminale për qëllime përfitimi material (pastrimi i produkteve te veprës penale te korrupsionit) si dhe mos krijimit të grupit rastësisht (kryerja e veprimtarisë kriminale në mënyrë të përsëritur e për një kohë të gjatë), pavarësisht se një formë e tillë bashkëpunimi nuk i është atribuuar ende këtyre personave në hetim dhe, për rrjedhojë, nuk do të merret në konsideratë ne këtë moment nga gjykata’’, thuhet në vendim.
Nder te tjera në vendimin e firmosur nga gjyqtari Engert Pëllumbi, thuhet se Veliaj duke qenë kryebashkiak i bashkisë më të madhe të vendit, mundet që me pushtetin e tij të ndikojë tek dëshmitarët dhe të minojë hetimin dhe të dëmtojë provat.
Gjykata ka vlerësuar gjithashtu edhe sjelljen e Veliajt gjatë kohës që ndodhej në paraburgim, ku ai ka realizuar telefonata nga brenda institucionit, veprim që SPAK e ka interpretuar si tentativë për të ndërhyrë te provat.
Sipas Apelit, ekziston gjithashtu rreziku i arratisjes, i mbështetur në mundësitë financiare të Veliajt dhe lëvizjet e shpeshta të tij të dokumentuara në sistemin TIMS. Gjyqtari Pëllumbi thekson se ky rrezik është “eminent dhe në nivele të larta”.