Dosja penale e 20-vjeçarit që përplasi për vdekje 22 vjeçaren, Toshkovski: Si mundet një person me dosje kriminale të jetë prapa timonit?

Gazetar: Zekirija Haxhiu

20 vjeçari Vasill Jovanov i cili përplasi për vdekje 22 vjeçaren Frosina Kullakova edhe më herët është përballur me drejtësinë. Ai nga prilli deri në korrik të vitit të kaluar, ka qenë në paraburgim, i akuzuar për prodhim dhe tregtim të lëndëve narkotike, shkruan Alsat.

Pas paraburgimit, gjykata i pati shqiptuar masë edukuese dhe përmirësuese për ta dërguar në shtëpinë korrektuese në Tetovë, duke e trajtuar të pandehurin si një i rritur i ri. Edhe në vitin 2023 kundër Jovanovit ishte ngritur hetim për aksident në komunikacion, ku një person kishte përfunduar me lëndime trupore.

Megjithatë, Jovanov asnjëherë nuk u dënua. Edhe përkundër këtyre të dhënave Gjykata Penale shprehet e habitur se si opinioni lidh aksidentin e 29 janarit me vepra të tjera që kanë ndodhur vitin e kaluar.

“E paqartë është lidhja e cila po krijohet në publik për lëndë penale e cila në shkallë të parë ka përfunduar me masë korrektuese për një person të caktuar për një vepër penale, me vepër tjetër penale që ka ndodhur 7 muaj më vonë. A ka mundur dikush në sistemin gjyqësor të parashikojë se i akuzuari pas 7 muajsh nga aktvendimi me të cilën duhet të institucionalizohet, mund të kryejë vepër tjetër penale, e për këtë është dashur të mbahet në paraburgim. Ligjet në vendin tonë si dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, nuk e lejojnë këtë”, thonë nga Gjykata Penale.

Nga Penalja thonë se faji për përplasjen fatale të 22 vjeçares nuk është te gjyqësori sepse çdo individ mund të shkaktojë aksidente në komunikacion. Ndërkohë ministri i brendshëm Pançe Toshkoski pyet si mund që një person i tillë, edhe më tej të drejtojë makinë.

“Opinioni me të drejtë pyetet, si mundet një person me dosje kriminale, pa patentë shoferi, me aq shumë shkelje të mëparshme të rregullave të komunikacionit, përsëri të jetë prapa timonit? Këto nuk janë vetëm temë për diskutim, por problem real dhe serioz që kërkon zgjidhje konkrete dhe të paprolonguara”, u shpreh Pançe Toshkoski – Ministër i brendshëm.

Si zgjidhje, kryeministri Hristijan Mickoski përmend sistemin “qytet i sigurt”.

“E di se MPB si procedurë po e zbaton dhe shumë shpejtë do ta kemi një sistem të tillë i cili sjellje të tillë të egër do të sanksionojë. Kjo patjetër duhet të ndodhë pavarësisht se sa plumba politik do të marrim, këtë duhet ta instalojmë dhe zbatojmë dhe të ndërmarrim politikë ndëshkuese e cila do të jetë rigoroze sepse edhe një jetë po të shpëtojmë, kemi arritur qëllimin. Për fat të keq shumë herët u shua një jetë e re për shkak një egërsire të tillë i cili në mënyrë të egër është sjellë në rrugët e kryeqytetit”, u shpreh Hristijan Mickoski – Kryeministër.

20 vjeçarit i është shqiptuar paraburgim 30 ditor. Ai kur përplasi për vdekje 22 vjeçaren po drejtonte makinën me shpejtësi të madhe, kaloi në semafor të kuq, pa leje qarkullimi dhe në gjendje të dehur. Makina ishte në emër të babait të tij, i cili sipas disa njoftimeve jozyrtare, është i punësuar si nënkolonel në kazermën Ilinden./ Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme