Drejtori i KEK-ut refuzon t’i bastiset banesa, Policia vendos t’ia thyejë derën

 Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, pritet të dërgohet në mbajtje të mërkurën nga Policia e Kosovës, pas bastisjes që zyrtarët policorë kryen në zyrat qendrore të KEK-ut dhe refuzimit të tij për t’i lejuar të hyjnë në banesën në Prishtinë, ka mësuar KOHA.

Siç ka mësuar KOHA, ai ka refuzuar ta hapë banesën e vet dhe se Policia ka vendosur që ajo të thyhet për t’u kryer bastisja. Në arsyetim, sipas burimeve, Krasniqi ka thënë se “është sëmurë”. Policia ka vendosur t’ia sjellë edhe ndihmën e shpejtë mjekësore.

Të kontaktuar nga KOHA, në Policinë e Kosovës kanë thënë se “po zhvillojnë kontroll në KEK dhe për detaje të tjera rreth rastit do të informoheni me kohë”

Bastisje në KEK

Policia e Kosovës ka kryer bastisje në zyrat qendrore të Korporatës Energjetike të Kosovës në Prishtinë, ka mësuar KOHA. Mësohet se bastisja po bëhet në zyrën e drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Sipas burimeve, arsye për bastisje është një kontratë për renovimin e kaldajave në bllokun A5 të Termocentralit “Kosova A”, për një kontratë të konsulencës e për një tjetër kontratë me KEDS-in.

Burimet kanë thënë po ashtu se në këtë rast priten edhe arrestime.

KOHA ka dërguar pyetje në drejtim të Policisë, por deri në publikimin e artikullit s’ka marrë përgjigje.

Në KEK kanë qenë të paqasshëm në thirrjet e telefonit.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme