Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se gjatë vitit 2023 Policia e Kosovës ka qenë goxha e ngarkuar me shumë aksione, operacione e aktivitete gjithandej Kosovës, por në veçanti në veriun e vendit.
Hoxha ka thënë se “Sot mund të themi se kemi më shumë rend dhe ligj, më shumë siguri në të gjithë territorin e Kosovës, por në veçanti në veriun e Kosovës”.
Ai ka veçuar disa prej operacioneve më të suksesshme të policisë në vitin 2023, siç janë operacioni për asistimin e kryetarëve të zgjedhur nëpër zyrat komunale në veri të vendit, mandej menaxhimi i situatës në sulmin e bandave serbe që ndodhi ndaj ushtarëve të KFOR-it më datën 29 maj në Zveçan.
“Edhe pse edhe ne kemi qenë cak i sulmeve, kemi arritur të kalojmë pa ndonjë dëm serioz ndaj policëve tanë, edhe pse ka pasur policë të lënduar e mjete të dëmtuara. Mandej një situatë e rëndë që kemi kaluar gjatë këtij viti ka qenë kidnapimi i tre policëve tanë nga forcat policore serbe më datën 14 qershor”, ka thënë Hoxha, në intervistë për RTK.
Ai më tej është ndalur tek puna e kurorëzuar me sukses në operacionet e fundit, sidomos me operacionin e Banjskës, ku Policia e Kosovës arriti ta zmbraps një sulm mirë të organizuar nga grupi kriminal terrorist i udhëhequr nga Milan Radoiçiq, e i cili ishte planifikuar, mbështetur dhe trajnuar nga Serbia.
“Një grup ky kriminal terrorist, i cili kishte shumëfish më tepër armatime e municione dhe pajisje tjera, duke tentuar të krijojë një realitet të ri në vendin tonë. Mirëpo në me profesionalizëm e me racionalizëm dhe me operacione goxha të mirëplanifikuara kemi arritur që këtë tentativë të Serbisë dhe këtij grupi terrorist ta zmprasim dhe t’i mësojmë se Kosova si shtet, ne si polici dhe gjithë vendi ynë të ketë një situatë më të qetë të sigurisë dhe po ashtu të kemi një situatë politike komplet tjetër”, ka theksuar Hoxha.
Ai ka thënë se përmes këtij operacioni është arritur që operativisht e ushtarakisht të mundet grupi kriminal terrorist, e në këtë rast edhe ata që i kanë mbështetur, e që ishte shteti serb.
“Kemi arritur edhe diplomatikisht ta mundim Serbinë dhe po ashtu në aspektin propagandistik Kosova ka fituar një betejë të madhe që është zhvilluar kundër saj dhe komplet faktori ndërkombëtar e ka kuptuar se çfarë kërcënimi kanë përbërë këto grupe”, ka shtuar Hoxha.
Duke folur për mundësinë e rritjes së pagave të policëve, sidomos të njësisë elitare, ai tha se po punojnë bashkë me ministrinë e Punëve të Brendshme që t’i adresojnë ankesat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
“Jemi takuar disa herë me ministrin e Punëve të Brendshme, po ashtu eprorët e kësaj njësie dhe të Policisë së Kosovës janë takuar edhe me kryeministrin e Kosovës dhe po shpresojmë që gjatë vitit 2024 të gjejmë modalitete dhe mundësi se si mund të adresohen kërkesat e policëve tanë për kushte më të mira të punës, për paga më të mira, që ata të jenë të motivuar për t’i kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tona që kemi ndaj vendit”, ka nënvizuar Hoxha.
Ai ka shprehur shpresën se do të ketë adresim të të gjithë kërkesave që janë bërë, por se do të shihen edhe mundësitë buxhetore për t’u plotësuar ato.