“Këta që vdekjen ma ndjellin janë poetët,/ Poetët me njëri-tjetrin nuk duhen kurrë!/Kur gripi më zë, i ngrenë veshët/Dhe bëjnë sikur u vjen keq: “Vërtet i sëmurë”?”.
Këto janë disa nga vargjet e poezisë “Dalëngadalë” të Dritëro Agollit, që e bija, Elona, kishte zgjedhur t’i postonte mbrëmë në faqen e saj në Facebook, ndërsa shëndeti i të atit, duket se nuk ka përmirësim në spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”.
Prej disa ditës shkrimtari dhe poeti Dritëro Agolli është shtruar në Sanatorium. Edhe pse dëshira e tij nuk ka qenë të shtrohet në spital, por të kalojë ditët e tij i qetë në shtëpi, i rrethuar mes librash dhe miqsh, që i vijnë nga të katërta anët e Shqipërisë, komplikacionet në rrugët e frymëmarrjes i kanë shtyrë të afërmit dhe mjekët që të vendosin shtrimin e tij pranë Sanatoriumit, raporton “Panorama”.
Agolli vazhdon të jetë në gjendje të rëndë:
“Ka qenë në gjendje të rëndë dhe aktualisht është në reanimacion. Është vendosur në atë që quhet frymëmarrje të drejtuar, për shkak të problemeve kronike që ka pasur me mushkërinë prej më shumë se 15 vitesh. Aktualisht gjendja vijon të jetë e rëndë, por po tregon stabilitet. Dje është bërë një përpjekje për ta nxjerrë nga frymëmarrja e drejtuar, por akoma nuk ka ardhur në parametrat e duhura”, raporton “Panorama”.
U bë kohë tashmë që shkrimtari ndodhet në një gjendje të rënduar shëndetësore dhe, edhe gjatë qëndrimit në shtëpi, frymëmarrja e tij realizohej përmes tubit të oksigjenit. Por me sa duket, edhe temperaturat e ulëta të këtij fundviti kanë ndikuar në përkeqësimin e shëndetit të shkrimtarit 85- vjeçar.
Bashkëshortja e tij, Sadija, që nuk i është ndarë për asnjë moment kreut të shtratit, thotë se mjekët po bëjnë të pamundurën për ta rehabilituar. Edhe pse me një gjendje shëndetësore të brishtë, Dritëro Agolli ka qenë vazhdimisht aktiv me opinionet e tij në shtypin shqiptar.
Madje, edhe pak kohë më parë, me rastin e ditëlindjes, kur do të priste në shtëpi Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, Agolli do të mbante gjallë bisedën, teksa fliste për të ardhmen e Shqipërisë e Kosoves.
Vetë shkrimtari e ka refuzuar shtrimin në spital pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore por me insistimin e mjekëve dhe familjarëve të tij, shkrimtari i madh është bindur të shtrohet në sanatorium për të marrë një përkujdesje më të specializuar nga mjekët. Prej kohësh ai ka shfaqur një shëndet të dobët, ç’ka e ka detyruar të marrë oksigjen me hundë në rrugë artificiale./Albeu.com/