Shefi i ri i AKI’së, Driton Gashi ka certifikatë të sigurisë të lëshuar dy vite më parë derisa ishte në MPB, por atij nuk i është bërë verifikimi para se të marrë detyrën e udhëheqësit të inteligjencës kosovare.
Shefi i ri i Agjencisë së Inteligjencës, Driton Gashi, për herë të parë ka dalë para komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e këtij institucioni.
Gashi ka deklaruar para deputetëve që gjendja në AKI, pas zhvillimeve të fundit është e mirë.
Ndërsa kryetari i komisionit Haxhi Shala, në një prononcim pas takimit të mbyllur për media, ka thënë se Departamenti i Verifikimeve, që gati për dy vite nuk ka qenë funksional, tani me një vendim të drejtori të ri, ka rifilluar punën.
Si pasojë e mos funksionimit të këtij departamenti, shumë kadetë të FSK-së, janë ballafaquar me probleme të ndryshme në lidhje me ndjekjen e trajnimeve jashtë vendit, kjo ngaqë nuk kanë pasur mundësi të marrin certifikatat e sigurisë.
Ndërkohë, Shala ka shtuar se vetë drejtori i AKI-së, Driton Gashi, ka certifikatë të sigurisë, e cila i është lëshuar para më shumë se dy viteve në kohën sa Gashi, ka qenë sekretar i Ministrisë së Punëve të Brendshme.