Duartrokitje për “Pa Vend” në Cannes, në pritje të “Palmës së Artë”

Pasuria e vetme e klubit të pingpongut “Lidhja e Prizrenit, ca tavolina të vogla, nuk i dekurajuan sportdashësit prizrenas që të ndiqnin pasionin e tyre. As mbështetja minimale nga shteti dhe komunat nuk e frenuan vullnetin e kreativitetit të regjisorit 44-vjeçar nga Prizreni, Samir Karahoda, që një histori të vërtetë ta artisticizonte në një film të metrazhit të shkurtër.

Paraditen e së premtes, “Pa Vend” markoi histori duke u bërë filmi i parë nga Kosova që u premierua në garë zyrtare të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Cannes

Historia e pasionit për pingpongun dhe përpjekjet e një klubi prizrenas për të mbijetuar – që të gjitha të shkrira në një film të metrazhit të shkurtër – tashmë është bërë e njohur për gjithë botën artdashëse.

Duke bërë histori, filmi nën regjinë e Samir Karahodës “Pa Vend” ka bërë histori me premierën e tij të dhënë të premten në prestigjiozin “Théâtre Claude Debussy” të Festivalit të Filmit në Cannes.

Ekipi i filmit – regjisori Sami Karahoda, producenti Eroll Bilibani, dy personazhet kryesore Ermegen Kazazi dhe Jeton Mazreku si dhe montazheri Enis Saraçi – kanë qenë të pranishëm në premierën e filmit në Cannes. Aty ishte edhe kryeministri Albin Kurti.

Në një prononcim për KOHËN, regjisori Karahoda e ka përshkruar premierën e filmit si një ndjenjë ëndrre.

“Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme krenarie, sidomos për vendin tonë që për herë të parë u prezantua në një festival, siç është ky i Cannes”, ka thënë Karahoda.

Filmi që ia kishte dalë të përzgjidhej në mesin e 3500 aplikimeve nga mbarë bota, sipas sinopsisit të afishuar në faqen e festivalit prestigjioz paraqet dramën që zë vend në Kosovën e pasluftës, “ku të shtyrë nga ambicia për të mbajtur gjallë sportin e tyre të zemrës, dy lojtarë lokalë enden nga një vend në tjetrin duke mbartur me vete të vetmen pasuri të klubit: tavolinat e tyre”.

Në të njëjtën kategori të filmit të shkurtër, filmi i Karahodës është në garë edhe me filmin “Severen Pol” nën regji të MarijaApceveska (Maqedoni e Veriut/Serbi); “Det er i Jorden” nën regjinë e Casper Kjeldsen (Danimarkë), “Orthodontics” nën regjinë e Mohammadreza Mayghani (Iran); “The Right Ëords” nën regjinë e Adrian Moyse Dullin (Francë); “Noite turva” nën regjinë e Diogo Salgado (Portugali); “Sideral” nën regjinë e Carlos Segundo (Brazil/Francë); “All The Crows in the World” nën regjinë e Tang Yi (Hong Kong); “Céu de Agosto” nën regjinë e Jasmin Tenucci (Brazil/Islandë) dhe “Xue yun” nën regjinë e Wang Lu (Kinë).

Nëse “Pa Vend” do ta rrëmbejë “Palmën e Artë” do të kuptohet nesër kur mbahet ceremonia përmbyllëse e edicionit të 74-t të Festivalit të Filmit në Cannes.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme