Shkruan: Xhevdet Pozhari
Serbia e ka okupuar veriun e Kosovës qëmoti. Në një shtet normal, do të duhej të diskutohej se si të çlirohet kjo pjesë e vendit nga bandat kriminale që të dëshmojmë se dijmë të ndërtojmë dhe të mbrojmë shtet.
Për ata që nuk e kanë të qartë, Serbia e ka sulmuar Kosovën që kur ia ka marrë nën kontroll komunat e veriut. Ajo që është lëshuar tash e 24 vite, nuk mund të zgjidhet brenda muajit.
Nuk është çudi se si në Kosovë ka njerëz që më shumë gëzohen kur ambasadori i SHBA e kritikon kryeministrin Kurti sesa kur Amerika e kritikon Vuçiçin. Kjo ngaqë dëshmuan në të kaluarën se derisa ishin në pushtet, u treguan të paaftë për të ndërtuar shtet ngaqë u koncentruan vetëm se si të pasurohen me mendimin që shtetin na e ndërton Amerika!
Kuptohet, derisa të jetë edhe një shqiptar i vetëm ne duhet t’u mbetemi mirënjohës ShBA-së që ndihmoi lindjen e shtetit tonë të dytë shqiptar.
Por, mirënjohja nuk e nënkupton atë që nga ne nuk e presin as miqtë tanë ndërkombëtarë: të jargavitemi sa herë që Beogradi na kërcënon dhe ta përbuzim vetveten duke u treguar të paaftë që ta mbrojmë shtëpinë tonë.
Andaj, poaq sa duhet të koordinohemi me miqtë tanë, njëkohësisht duhet të tregohemi të gatshëm ta mbrojmë tokën e Kosovës.
Problemi i veriut është një çështje që ose tani duhet ta zgjidhim, ose nesër do t’ua lëm fëmijëve tanë. Dhe, koha ka dëshmuar se nga zvarritja ka përfituar vetëm Serbia.