Dy milionë euro të shkuara dëm dhe miliona të tjera që pritet të shpenzohen

Në thellësi të Parkut Nacional të Gërmisë në kryeqytet gjendet një godinë gjysmë e ndërtuar, e cila dita ditës po shndërrohet në një ndërtesë gjysmë të shembur.

Ajo ndërtesë do të duhej tash të ishte një rezidencë që do të quhej Qendra Protokollare, e në të cilën shteti i Kosovës do të priste delegacionet ndërkombëtare, por tash është një ndërtesë në të cilën gjejnë vend përdoruesit e narkotikëve dhe çifteve për pak privatësi.

Kësisoj ajo ndërtesë është shndërruar në një “monument të korrupsionit” dhe “keq menaxhimit” në Kosovë por planet e presidentit kosovar, Hashim Thaçi mund ta vënë në harresë totale këtë objekt, pasi shteti pritet të fokusohet në ndërtimin e një tjetër rezidence, e ngjashme për nga funksioni me Qendrën e dështuar Protokollare.

Më 18 mars të vitit 2005, me iniciativë të Kuvendit të Kosovës, që në atë kohë udhëhiqej nga Nexhat Daci, kishte filluar ndërtimi i një Qendre Protokollare.

Ishin shpenzuar 2 milionë euro dhe objekti kurrë nuk ishte kryer. Daci kishte shkuar nga Kuvendi bashkë me një skandal tjetër korrupsioni për shpenzimin e mjeteve publike për syzet dhe rregullimin e dhëmbëve të tij.

Përderisa arsyeja e dështimit të përfundimit të objektit të Qendrës Protokollare nuk janë bërë kurrë të qarta e as dënuar kush për këtë dështim pasi tash Daci është kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, presidenti i vendit Hashim Thaçi po planifikon nisjen e një qendre të re rezidencash shtetërore.

Insajderi, ka kërkuar të dijë nga Kuvendi i Kosovës për të parë statusin e objektit në Gërmi, por përkundër faktit të vet Kadri Veseli gjatë fushatës së fundit për Zgjedhjet Parlamentare kishte premtuar funksionalizimin e saj si Qendër Inovative.

E derisa shteti se ka bërë askën përgjegjës për këtë projekt të dështuar që ka dëmtuar buxhetin me dy milionë euro, shteti po bëhet gati që të nisë një investim tjetër milionësh, në një projekt të njëjtë.
Presidenti Hashim Thaçi, ka dhënë propozim që të nisë një projekt i ngjashëm me Qendrën Protokollare.
Thaçi ka propozuar ndërtimin e një rezidence institucionale, por këtë herë jo në Gërmi, por me lokacion në lagjen “Hajvalia”.

Këtë e ka thënë për Insajderi, Ministrja e Ambientit, Albena Reshitaj.

“Biseda në takimin e 4 gushtit, në të cilën siç dihet përveç presidentit, dhe kryeministrit, morëm pjesë pothuajse i gjithë kabineti qeveritar, ka qenë propozimi që Presidenti Thaçi e ka dhënë për ndërtimin e një ndërtese të institucioneve diku në periferi të Prishtinës. Është diskutuar që lagjja Hajvalia, është vendi më adekuat për ndërtimin e kësaj ndërtese. Tash pritet që të fillohet me procedurat e mëtutjeshme për ndërtimin e saj”, ka thënë Reshitaj.

Kurse, Zeqir Bekolli, zyrtar i Ministrisë së Administratës Publike, madje ka thënë është ndarë edhe parcela prej 20 hektarësh për ndërtimin e kësaj rezidence, dhe se lokacioni i paraparë në lagjen “Hajvalia” me hapësirë prej 20 hektarësh, nuk do të ketë nevojë fare për shpronësim, pasi që ai lokacion është pronë shtetërore.“Parcela e cila është ndarë për ndërtimin e objekteve është pronë e shtetit dhe për këtë arsye nuk do të ketë nevojë që të bëhen shpronësime. Për ndërtimin e tyre nevojiten 20 hektarë tokë dhe lokacioni është te lagjja Prishtina e re në Hajvali”, kishte thënë Bekolli.

E ndërtimi i një rezidence të tillë, i propozuar nga Presidenti, duket se do të jetë edhe një përfitim biznesor për partnerin e tij, zëvendës kryeministrin, Behgjet Pacolli.

Kjo për shkak se kompania “Mabetex” që udhëhiqet nga Pacolli, mund të jetë fituese e tenderit për ndërtimin e këtij objekti. Një gjë të tillë nuk e ka përjashtuar as Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Ai ka thënë se nëse nuk ka shkelje të ligjit, atëherë “Mabetex” mund të jetë fituese e këtij projekti.
Përtej shpenzimeve të buxhetit, ky plan sipas Imer Mushkolajt, analist politik dhe gazetar më përvojë tregon për një mendësi të një klase politike udhëheqëse që e sheh zhvillimin e shtetit nëpërmjet ndërtesave luksoze.

Për të, Kosova nuk bëhet shtet me ndërtim të objekteve rezidenciale, por me ekonomi të zhvilluar dhe sistem të fortë të drejtësisë.

“Vendi ka nevoja shumë më të mëdha se ndërtimi i rezidencave qeveritare. Kosova nuk bëhet shtet me ndërtim rezidencash, por me ndërtim të një sistemi të fortë rendi e ligji, me ekonomi të zhvilluar, pa krim e korrupsion. Mentaliteti i pushtetarëve për të rehatuar veten ne luks, e jo për të punuar për të mirën e qytetarëve e ka sjellë vendin në një situatë pa shprese”, ka thënë Mushkolaj, për Insajderi.com.

E një ide të ngjashme për ndërtimin e rezidencës kishte edhe ish-presidenti Ibrahim Rugova. Ai kishte propozuar ndërtimin e një Shtëpie të Bardhë Presidenciale. Por, edhe ish-presidenti, Fatmir Sejdiu, kohë më parë kishte bërë një propozim të tillë. /Insajderi.com

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme