Dy persona të maskuar hynë brenda kompanisë “ONE”, zbardhen emrat e 7 personave nën hetim! Si u mbajt ngjarja e fshehtë për gati 3 muaj, dyshimet se u dëmtuan kompjuterët

Detaje të reja mësohen nga ngjarja e ndodhur më 25 Dhjetor 2024, ku dy persona të maskuar kanë hyrë brenda kompanisë “ONE Albania”, ndërsa ngjarja është mbajtur e fshehtë për gati 3 muaj.


Shtatë punonjës të sigurisë fizike dhe drejtuesi i njërit prej departamenteve të “One Albania” janë proceduar penalisht pasi akuzohet se nuk kanë raportuar në polici ngjarjen.

Procedimi penal për veprat “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ka nisur ndaj:

• 2 punonjësve të sigurisë së brendshme të kompanisë, 50-vjeçarit Gentian Koçi, dhe 31-vjeçarit Arsil Feshti, si dhe drejtuesit të departamentit të zyrave dhe pasurisë të kësaj kompanie telefonike, 38-vjeçari Erald Sina.

Po ashtu nisi procedimi penal për veprën “Moskallëzimi i krimit” ndaj:

• drejtuesit teknik dhe 4 punonjësve të grupit të shoqërisë private të sigurisë fizike që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë, shtetasve Alfred Zylalaj, 54 vjeç, Gëzim Sala, 40 vjeç, Koço Veneti, 63 vjeç, M. D., 55 vjeç; dhe Ismet Tartari, 62 vjeç.

Sipas policisë, Gentian Koçi, shefi i security së “ONE Albania”, në deklarimin e tij ka pohuar se nuk janë marrë sende dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale.

Por, gazetarja Klodiana Lala informon se, sipas burimeve të saj, ka dyshime të forta se janë dëmtuar kompjuterët e kompanisë telefonike.

“Kompania One është një nga klientet kryesore të Arbër Veliajt, që është vëllai i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj”, raportoi gazetarja Lala.

Personat nën hetim:

Gentian Koçi

Erald Sina

Arsil Feshti

Alfred Zylalaj

Gëzim Sala

Koço Veneti

Ismet Tartari

Njoftimi i policisë:

Nuk raportuan një ngjarje të ndodhur në muajin dhjetor 2024, procedohen penalisht 7 punonjës të sigurisë fizike dhe drejtuesi i njërit prej departamenteve të një kompanie telefonike, në Tiranë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Tiranë, pas marrjes së informacionit për një ngjarje të ndodhur dhe të paraportuar, kanë kryer veprime verifikuese dhe hetimore, të cilat çuan në konstatimin e kësaj ngjarjeje, e ndodhur më datë 25.12.2024, në ambientet e një kompanie telefonike, në zonën e Laprakës.

Nga hetimet paraprake rezultoi se rreth orës 02:30 të datës 25 dhjetor, dy shtetas të maskuar kanë hyrë në ambientet e kësaj kompanie, duke dëmtuar drynin e derës së pasme.

Ngjarja është konstatuar nga punonjësi i sigurisë së brendshme i kësaj kompanie, shtetasi G. K, i cili, në deklarimin e tij, ka pohuar se nuk janë marrë sende dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale.

Punonjësi në fjalë nuk ka njoftuar organet ligjzbatuese, por dyshohet se ka njoftuar vetëm drejtuesin teknik dhe punonjësit e grupit të shoqërisë private të sigurisë fizike që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë. Po ashtu, është konstatuar se edhe përfaqësues të kompanisë telefonike kanë qenë në dijeni të ngjarjes, por nuk e kanë kallëzuar atë në organet kompetente.

Në përfundim të veprimeve procedurale, Komisariati i Policisë Nr. 3 referoi materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për veprat “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ndaj:

• 2 punonjësve të sigurisë së brendshme të kompanisë, shtetasve G. K., 50 vjeç dhe A. F., 31 vjeç, si dhe drejtuesit të departamentit të zyrave dhe pasurisë të kësaj kompanie telefonike, shtetasit E. S., 38 vjeç.

Po ashtu nisi procedimi penal për veprën “Moskallëzimi i krimit” ndaj:

• drejtuesit teknik dhe 4 punonjësve të grupit të shoqërisë private të sigurisë fizike që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë, shtetasve A. Z., 54 vjeç, G. S., 40 vjeç, K. V., 63 vjeç, M. D., 55 vjeç; dhe I. T., 62 vjeç.

Hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për të verifikuar nëse janë përmbushur detyrimet ligjore dhe kontraktuale nga shoqëria private e sigurisë fizike që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë.

Veprimet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme