9 maji dita e Evropës, Kosovën nuk e gjen aspak në pozitë të favorshme, shteti kosovar vazhdon të ballafaqohet me probleme të shumta, të cilat po ndikojnë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.
Njëri nga problemet kryesore vazhdon të jetë mos-njohja e pavarësisë së Kosovës, nga pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian, nga Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia.
Rreth kësaj çështje, “Gazeta Blic”, ka biseduar me njohësin e integrimeve Evropiane, Avni Mazrekun. I cili ka shpjeguar më hollësisht, problemet që po i ka shteti kosovar.
“Festa e Evropës apo 9 maji, Kosovën nuk e gjen shumë larg prej problemeve që i ka pasur edhe viteve tjera, ende pozicioni i Bashkimit Evropian për Kosovën nuk ka ndryshuar. BE nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, është neutral me statutin e Kosovës, pra janë pesë shtete të Bashkimi Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, dhe ky pozicion tyre nuk ka lëvizur që nga viti 2008. Dhe kjo e komplikon mjaft mase, ecjen e Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve kontraktuale midis Kosovës dhe BE-së.”, thotë Avni Mazreku.
Një problem tjetër, i cili po e bllokon Kosovën në rrugëtimin e saj drejt Evropës, sipas Mazrekut, është edhe mos përmbushja e kritereve të cilat janë dhënë nga BE.
“Një çështje tjetër shumë kritike është edhe mos përmbushja e kritereve nga shteti i Kosovës, kritere këto të dhëna qartë nga Bashkimi Evropian, për anëtarësim, këto janë problemet kryesore të Kosovës në rrugën e saj evropian”, ka përfunduar deklaratën Avni Mazreku.
9 maji është festë zyrtare në Kosovë dhe institucionet e kanë pushim, megjithëse Kosova ende nuk është anëtare e BE-së dhe ende ka regjim vizash nga BE.
9 Maji shënon përvjetorin e deklaratës historike të Schumanit.
Në një fjalim në Paris, në vitin 1950, ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, ka shpalosur idenë për një formë të re të bashkëpunimit politik në Evropë.
Vizion i tij ka qenë krijimi i një institucioni evropian që do të grumbullonte dhe menaxhonte prodhimin e qymyrit dhe çelikut.
Traktati për krijimin e një organi të tillë është nënshkruar vetëm një vjet më vonë.
Propozimi i Schumanit konsiderohet të jetë fillimi i asaj që tani është Bashkimi Evropian.
Për të festuar Ditën e Evropës, institucionet e BE-së hapin dyert e tyre për publikun më 2 maj në Strasburg dhe më 9 maj në Bruksel dhe Luksemburg.