Dy persona janë arrestuar në Prishtinë më 22 dhe 23 tetor nën dyshimin se kanë mashtruar më shumë se 20 qytetarë duke u premtuar viza, e duke i shfrytëzuar të dhënat e tyre për të marrë kredi online.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të arrestuarit janë A.E. mashkull 24-vjeçar, dhe K.G. mashkull 25-vjeçar. Të dy shtetas të Kosovës.
“Dyshohet se kanë marrë nga viktimat (kopje dokumentesh) të dhënat personale, duke u premtuar atyre, se do t’ua rregullojnë vizat e punës për vende të Bashkimit Evropian, dhe të njëjtit me të dhënat e tyre kanë aplikuar për kredi (Online), duke përfituar kështu shuma të ndryshme të parave. Mbështetur në rezultate e para të hetimit është ngritur dyshimi i arsyeshëm se ky mashtrim ka ndodhur në vazhdimësi, për një periudhë të gjatë kohore dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga ta arrin mbi 20 qytetarë të ndryshëm”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka kërkuar po ashtu nga qytetarët që mund të kenë qenë viktima të rasteve të tilla, të lajmërohen në stacionin më të afërt policor, për ta mundësuar dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të këtyre personave.
Të arrestuarit janë dërguar në qendrën rajonale të paraburgimit në Prishtinë.