Dy vjet burgim ish-ministrit Todosijeviq që masakrën e Reçakut e quajti trillim

Me dy vjet burgim është dënuar ish-ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL), Ivan Todosijeviq.

Ai është shpallur fajtor këtë të enjte për deklaratat që i kishte bërë në lidhje me shqiptarët dhe masakrën e Reçakut, raporton KTV.

Ai akuzohej “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Kujtojmë se ish-ministri në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviq, masakrën e 45 civilëve shqiptarë nga forcat serbe në Reçak, e ka quajtur trillim.

Kryetari i trupit gjykues, Musa Konxheli ka thënë se ekzekutimi i dënimit me burg, do të bëhet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

Kujtojmë se kryeministri i Kosovës tashmë në detyrë, Ramush Haradinaj, e shkarkoi Teodosijeviqin rreth dy javë pas deklaratës.

Haradinaj tha se “gjuha e urrejtjes” e një ministri nuk mund të tolerohet.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, kishte thënë se Teodosijeviq u dënua sepse tha “atë që secili serb e di dhe e ndjen”.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, pasi ka shpallur aktgjykimin ndaj Todosijeviq, përmes një kumtese thotë se ai është akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pasi që në cilësinë e Ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke e keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij, me dashje kishte nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.

“Me datë 24.03.2019, në rrugën ”Kral Milutin” në Zveqan, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit te “NATO-s”, shprehet se ”Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi…Masakra e Reçakut ishte trillim. Janë terroristet shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi…Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-së, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës…gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, veprime këto të cilat mund të prishin rendin publik ose të shkaktojnë pasoja tjera më të rënda në Republikën e Kosovës”, thuhet në kumtesë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme