Dyshimet për keqpërdorime me citostatikë rëndojnë gjendjen e pacientëve në Maqedoni

Një burrë i maskuar mban një pankartë në gjuhën maqedonase “Hajdutë, vrasës” gjatë një proteste përpara ndërtesës së Prokurorisë Publike në Shkup, Maqedoni e Veriut, më 4 shtator 2023.

“Më e rëndë se vetë sëmundja bëhen dyshimet nëse marrim ose jo terapinë e duhur”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Elizabeta Ristovska, e prekur nga kanceri në gji, e cila tash e dy vjet po trajtohet në Klinikën e Onkologjisë në Maqedoninë e Veriut.

Ajo bashkë edhe me disa pacientë të tjerë për çdo mbrëmje proteston para Prokurorisë Themelore Publike në Shkup me kërkesën për përgjegjësi, në lidhje me dyshimet se në Klinikën e Onkologjisë janë kryer keqpërdorime me barna, veçanërisht me terapinë e shtrenjtë biologjike, e cila siç thotë bëhen të qartë zërat se këto barna janë shitur në tregun e zi.

“Në një shtet ku nuk ka statistika të sakta se sa pacientë vuajnë nga kanceri, si mund të jetë e qartë se sa barna duhen dhe ku përfundojnë ato. I pakuptimtë është arsyetimi se një pjesë e pacientëve diagnostikohen në klinikat private dhe pastaj terapinë e marrin në klinikën shtetërore. Gjithsesi, fare lehtë mund të bëhet një regjistër me të dhëna të sakta, por duket se kjo nuk bëhet për qëllime që tani dalin në pah me keqpërdorimin e terapisë për kancer”, thotë Ristoska për REL-in.

Në vitin 2017 është instaluar sistemi KATO për sigurinë, kontrollin dhe dozimin e saktë të terapisë për të prekurit nga kanceri, sistem ky i cili Klinikës së Onkologjisë i ka kushtuar 350 mijë euro, por ka funksionuar vetëm 6 muaj dhe ka përfunduar në bodrumet e spitalit.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut , Fatmir Mexhiti, më 4 shtator tha se po bëhen analiza nëse ky sistem mund të kthehet në funksion apo duhet siguruar një të ri.

Ndërkohë Elizabeta Spirkoska thekson se mungesa e terapisë për të sëmurët me kancer rrit dyshimet se ka keqpërdorime gjatë furnizimit me barna.

“Ilaçin që duhet ta marr çdo të 21 ditë kur shkoj në klinikë jo rrallë më kanë thënë se mungon. Kishte periudha që unë isha e detyruar të pres 40 ditë që të marr ilaçin e caktuar (Herceptin) për sëmundjen time. Unë nëse pres, sëmundja ime nuk pret, dhe kjo bëri që të marrë hov kanceri tek unë duke metastazuar në mushkëritë e bardha pasi nuk mora terapinë në kohë”, tregon Elizabeta.

Ajo thekson se puna e jo të gjithë punonjësve shëndetësorë në Onkologji duhet vënë në dyshim, pasi siç shprehet, ata bashkëndiejnë me pacientet që i aty për çdo ditë. Megjithëkëtë ajo thotë se do të vazhdojë të protestojë para Prokurorisë dhe ata që i kanë keqpërdorur pozitat, të përgjigjen para drejtësisë duke çliruar nga barra e dyshimit të gjithë ata që vuajnë nga kanceri.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Mexhiti, të mërkurën gjatë vizitës që u bëri të prekurve nga kanceri në Klinikën e Onkologjisë, i siguroi pacientët se terapia është cilësore dhe s`ka vend për dyshime për angazhimin e mjekëve.

“Terapia është cilësore, ajo është terapia që duhet ta pranojë secili pacient, nuk ka kurrfarë lëshimi në këtë. Nuk mund të pështyhen të gjithë mjekët, ju e dini se këta mjekë i lënë edhe fëmijët dhe familjet që të jenë pranë jush.Ju e dini se këto janë sëmundje të komplikuara. Të mos keni asnjë pikë dyshimi se nuk jepet terapi apo bëhet diçka, unë jam garanci për këtë”, deklaroi Mexhiti.

Nga Prokuroria Themelore Publike bëjnë të ditur se kanë zhvilluar tri procedura për raste të izoluara të tentativës për vjedhje të drogës dhe ryshfet në lidhje me Klinikën e Onkologjisë, njëra prej të cilave tashmë është në procedurë gjyqësore.

Nga Prokuroria theksojnë se pretendimet e fundit me keqpërdorimin e terapisë për të sëmurët me kancer, po kontrollohen në detaje dhe publiku do të njoftohet menjëherë për të gjitha rezultatet e veprimeve të ndërmarra, duke mos dhënë më shumë detaje.

Edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme theksojnë se janë caktuar masa të posaçme për persona të caktuar që ndërlidhen me rastin e Klinikës së Onkologjisë, por pa dhënë detaje se për kënd bëhet fjalë. /REL

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme