Një pacient në Kosovë është regjistruar si rast i dyshimtë se mund të jetë infektuar me linë e majmunëve.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se më 3 qershor nga Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka pranuar një raportim për një rast të dyshimtë në linë e majmunëve.
Pacienti është një burrë i lindur më 1953 nga komuna e Dragashit.
Sipas ministrisë, pacientit i është marrë një mostër nga ndryshimi lëkuror dhe do të dërgohet në laboratorin referent të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Holandë për testim.
“Presim edhe rezultatet laboratorike deri në diagnozën përfundimtare sipas kritereve të parapara”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Sipas MSH-së, pacienti është në gjendje stabile dhe në izolim.
Lia e majmunëve është zbuluar për herë të parë në majmunë, në vitin 1958, në Afrikë. Rasti i parë në njeri është regjistruar në vitin 1970 në Republikën Demokratike të Kongos. Deri më tash, lia e majmunëve ka qenë e përqendruar vetëm në një numër të vogël të vendeve afrikane. Rastet e eksportuara tjetërkund kanë qenë të rralla ose joekzistente.
Por, javëve të fundit, ato janë shfaqur shpejt në disa shtete të Evropës, SHBA-së, Australisë e të tjera. Numri i tyre ka arritur tashmë në disa qindra.




