Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së Demokratëve Europianë lidhur me tensionet dhe përplasjet e regjistruara gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme para Kuvendit.
Demokratët Europianë e cilësuan situatën si një “provë serioze të standardeve demokratike” për Shqipërinë, duke shprehur shqetësim për shoqërimet, ndërhyrjen e policisë dhe mënyrën e menaxhimit të protestës.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rama u është përgjigjur ashpër demokratëve europianë, duke i akuzuar për “politika mendjengushta” dhe për mbështetje të një forme të papranueshme të protestës. Kryeministri vijon duke thënë se, ndryshe nga ajo që sipas tij mund të duket “nga rehatia e tastierës”, deputetët shqiptarë janë përballur me një situatë krejt tjetër gjatë hyrjes në Kuvend.
Rama ka kritikuar më tej reagimin e Demokratëve Europianë, duke e cilësuar si të turpshme mbështetjen e një sjelljeje që ai e konsideron të dhunshme.
Postimi i plotë:
Pra, për llojin tuaj të veçantë të demokratëve dembelë, pengimi i deputetëve që të hyjnë në seancën hapëse të Parlamentit quhet “kundërshtim”?
Ndoshta kështu duket nga rehatia e tastierës suaj. Por, jo për kolegët tuaj shqiptarë, nga e djathta në të majtë, të cilët u detyruan të kalonin mes një korridori sharjesh dhe dhune fizike, me vezë e madje edhe gurë të hedhur ndaj tyre, vetëm që të arrinin në vendin e tyre të punës.
A nuk ju vjen turp të mbështesni një sjellje kaq të neveritshme dhe ta shisni atë si kundërshtim demokratik? Me sa duket, jo.
Meqë ra fjala, shikoni se si një deputete e nderuar, një akademike e respektuar dhe një mbrojtëse gjerësisht e njohur e të drejtave të grave, fyhet dhe keqtrajtohet nga modelet tuaja të “kundërshtimit”, teksa thjesht përpiqet të arrijë në vendin e saj të punës.
Dhe kjo nuk ishte as më e keqja nga ato që kolegëve tuaj shqiptarë iu desh të përballonin dje.
Keni ndonjë gjë për të thënë për këtë formë të veçantë të “kundërshtimit”, nga piedestali juaj i lartë demokratik? Apo shqetësimi juaj për demokracinë përfundon aty ku fillojnë faktet e pakëndshme?
Dhe ju lutem, lëreni Shqipërinë të qetë dhe mos e përfshini në këtë histori. Shqipëria është një vend realisht i lirë dhe shumë më demokratik sesa politika juaj mendjengushtë. Ajo nuk meriton të bëhet çamçakëz në gojët mediokre të njerëzve që i shkëmbejnë faktet me angazhim të lirë politik.
The post E fajësuan për dhunën ndaj protestuesve/ Rama humb qetësinë dhe sulmon Demokratët Europianë: Dembelë me politika të ngushta appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



