I akuzuari kroat për krime lufte në Bosnje, Sllobodan Praljak, ka vdekur në një spital të Hagës, pasi ka pirë një lëng në sallën e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, konfirmoi zëdhënësi i Tribunalit, Nenad Gollçevski.
“Autoritetet holandeze kanë filluar hetimet mbi vdekjen e Praljakut”, tha ai, përcjell REL.
Praljak, ish-komandant i forcave kroate të Bosnjës gjatë luftës së viteve 1992-95, ka marrë pijen dhe ka bërtitur “nuk jam kriminel”, vetëm pak kohë pasi Gjykata e Hagës ka konfirmuar dënimin e tij me 20 vjet burgim.
“Gjykatës, Sllobodan Praljak nuk është kriminel lufte. E refuzoj vendimin tuaj”, ka thënë Praljak.
“Ajo çfarë kam pirë, është helm”, ka thënë ai.
Praljak është dënuar fillimisht në vitin 2013 për krime lufte në Mostar.
Gjykata e Hagës ka konfirmuar të mërkurën dënimin për Praljakun dhe pesë kroatë të tjerë të Bosnjës.
Javën e kaluar, Gjykata e Hagës ka dënuar me burgim të përjetshëm Ratko Mlladiqin – ish-komandant i forcave serbe të Bosnjës.
Kjo gjykatë do t’i mbyllë dyert në fund të këtij viti.