E kundërshtonte Ballkanin e Hapur: Martin Berishaj që akuzohet se mori 600 mijë euro nga një biznes serb

Mediumi slloven “Planet TV”  gjatë natës së mbrëmshme raportoi për  një aferë financiare në të cilën dyshohet të jetë përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Sipas këtij mediumi ambasadori i Kosovës në Kroaci dyshohet se ka transferuar rreth 600 mijë euro kesh nga xhirollogaria e tij bankare në Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.

Berisha i mohoi këto akuza duke paralajmëruar padi ndaj këtij mediumi.

Edhe para marrjes së postit të ambasadorit, Berishaj njihej si kundërshtar i “Ballkanit të Hapur” dhe këtë qëndrim e ka shprehur shpesh në mediat e rajonit, shkruan Reporteri.net.

Berishaj beson se termi “Ballkani i Hapur” është përpjekje serbe për të zëvendësuar emrin e projektit politik “Serbia e Madhe”.

“Operacionalizimi i termave Ballkani Perëndimor”, bota serbe” dhe “Ballkani i hapur” është një përpjekje serbe për të zëvendësuar emrin e projektit politik “Serbia e Madhe”. Miroslav Krlezha ka thënë dikur se Ballkani nuk është një koncept gjeografik, por një gjendje shpirtërore. Dhe nëse i kthehemi konceptit “Ballkani i Hapur”, më kujton vitin 1919, kur Serbisë iu dha mundësia të ishte “xhandar ballkanik”, të cilin e realizoi me shumë sukses deri në vitin 1991. Pastaj ajo luftoi për të forcuar kufijtë perëndimorë të “Serbisë së Madhe” nga Karlobagu, Karllovaci në Virovitica, dhe tani, pas dështimit të projektit, për të tërhequr “vija të tjera – nga Banja Luka në Trebinje, deri në Tivat dhe në verilindje deri në Mitrovicë”, ka thënë Berisha në një intervistë të mëparshme për Al Jazeera.

Berisha vlerësonte se me projektin e “Ballkanit të Hapur”, Serbia dëshiron ta ndryshojë statusin e Kosovës nga subjekt juridik ndërkombëtar në territor.

Ideja e “Mini Shengenit” nuk zgjati shumë, për t’u riemëruar “Ballkani i Hapur”, me të cilën Serbia dëshiron ta ndryshojë statusin e Kosovës nga subjekt juridik ndërkombëtar në territor. Sigurisht që nuk do t’ia dalin, sepse ne në Kosovë, përveç Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës, e kemi eliminuar këtë ide. Atëherë pyetja është pse qeveria në Tiranë pranoi diçka të tillë? Edi Rama, i prirur ndaj idesë për t’u bërë prijës i shqiptarëve në Ballkan, ndonjëherë harron se Kosova nuk është një copëz mes Serbisë dhe Shqipërisë, por një shtet – subjekt i së drejtës ndërkombëtare”, kishte thënë Berisha në këtë intervistë.

Megjithatë, Berisha konsideronte se kufiri duhet të jetë kanal komunikimi dhe jo burim problemesh.

“Ekspansionizmi është në vetvete një burim tensioni, jo një kufi si i tillë. Perceptimi i kufirit si një instrument i zgjerimit politik frikëson ata që duan të frikësojnë të tjerët. Sjellja nervore e elitave politike që frikësojnë me ndryshimin e kufijve njihet lehtësisht si dështim i tyre në politikën e brendshme, ndaj duan të largojnë vëmendjen te kufijtë e jashtëm. Një kufi i njohur ndërkombëtarisht është një kanal komunikimi që sot nuk ka të njëjtin kuptim si në të kaluarën, kur kufiri konsiderohej si “perde e hekurt”, ku shteti konsiderohej i qëndrueshëm vetëm në kontrollin e njëanshëm të kufirit. Sot kufiri është komunikim i dyanshëm dhe mundësi shkëmbimi nga idetë te njerëzit dhe mallrat”, shprehej Berishaj.

Martin Berishaj është emëruar ambasador i Kosovës në Kroaci, vitin e kaluar. /Reporteri.net

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme