Sipas CNN, që citon zyrtarë të lartë amerikanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur avionë bombardues strategjikë dhe 200 ushtarë në gatishmëri në Norvegji. Kjo lëvizje interpretohet si një mesazh ndaj Rusisë e cila po përpiqet të bllokojë qasjet në Artik.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vendosin për herë të parë avionë bombardues strategjikë në Norvegji duke dhënë një mesazh të qartë për Rusinë. Janë gati të mbrojnë aleatët kundër çdo lloj agresioni të Kremlinit në një rajon, atë arktik, strategjikisht të rëndësishëm. Lajmi është konfirmuar nga CNN, duke theksuar se janë përfshirë 4 avionë dhe rreth 200 ushtarë që janë transferuar nga një bazë në Teksas për në Orland në Norvegji. Brenda javëve të ardhshme, do të nisin misionet në qarkun artik dhe në hapësirën ndërkombëtare në veri perëndim të Rusisë.
Kjo zhvendosje mjetesh ushtarake nënkupton se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë në gjendje të reagojnë më shpejt ndaj një agresioni të mundshëm rus, sipas zyrtarëve të cituar nga CNN.
Muajt e fundit, Pentagoni ka përdorur avionë të tillë në lindjen e Mesme si mjet për të dëshmuar kapacitetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të zhvendosur më shpejt burimet ushtarake në rajone të tensionuara. Bëhet fjalë për misione që kërkojnë javë të tëra për t’u planifikuar, që do të thotë se vendosja në Norvegji është organizuar prej kohësh dhe nuk është një vendim i momentit.
Nga ana tjetër, departamenti amerikan i mbrojtjes shprehu shqetësimet për lëvizjet ushtarake ruse për të bllokuar qasjen në Artik. Investimet e fundit ruse në Artik përfshijnë një rrjet mjetesh ajrore ofensive dhe sisteme raketore.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë se Rusia kërkon të ruajë sa më aktive qajsen në Artik me rreth 25% të prodhimit të tij bruto që vijnë nga hidrokarburet në veri të Qarkut polar Artik./abcnews.al