Kandidati për deputet në qarkun Tiranë nga koalicioni “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, Rivelino Cuno, ka denoncuar në polici një incident të ndodhur gjatë aktivitetit të tij elektoral në zonën e Shkozës, ditën e djeshme.
Sipas denoncimit, Cuno është penguar në zhvillimin e aktivitetit elektoral, çka çoi në ndërhyrjen e policisë, e cila shoqëroi në komisariat një shtetase 42-vjeçare, të identifikuar si Sh. S., banuese në Shkozë.
Policia bëri me dije se gruaja ka deklaruar në ambientet e komisariatit se kishte ofenduar pjesëmarrësit në aktivitet për shkak të zhurmave të krijuara pranë pallatit ku ajo banon, duke theksuar se nuk ishte në dijeni të aktivitetit politik.
Njoftimi i policisë
Pasditen e djeshme, shtetasi R. C., 38 vjeç, kandidat për deputet i një subjekti politik, ka njoftuar Policinë se ishte penguar gjatë aktivitetit të tij elektoral, në Shkozë.
Shërbimet e Policisë kanë kryer veprimet për rastin dhe kanë shoqëruar në komisariat, shtetasen Sh. S., 42 vjeçe, banuese në Shkozë, e cila ka deklaruar se i ka ofenduar pjesëmarrësit në këtë aktivitet pasi ishte shqetësuar nga zhurmat e krijuara afër pallatit ku ajo banon dhe se nuk e ka ditur arsyen e këtij aktiviteti.