I akuzuari, në vitin 2016 në banesën e tij në Crailsheim e kishte “tundur në mënyrë brutale” për disa sekonda foshnjën, e cila për pasojë është përplasur me kokë në një objekt të fortë. Ajo ka vdekur disa ditë më vonë në spital.
Një baba 26 vjeçar e ka tundur aq fort foshnjën e 7 javëshe sa që ajo ka vdekur nga pasojat e këtij veprimi. Të premten, më 16 mars, babai me prejardhje kosovare është dënuar nga Gjykata e Landit në Ellwangen, (Baden Württemberg) me 3 vjet e 9 muaj burg për shkaktim të lëndimit trupor me pasojë vdekjen, shkruan welt.de. Gjykata kishte në shqyrtim edhe mundësinë që 26 vjeçari të dënohej për goditje vdekjeprurëse, për çfarë ai mund të merrte një dënim nga 5 deri në 15 vjet heqje lirie.
Trupi gjykues ka ardhur në përfundim se i akuzuari, në tetor të vitit 2016 në banesën e tij në Crailsheim e kishte “tundur në mënyrë brutale” për disa sekonda foshnjën e vet, transmeton albinfo.ch. Gjatë kësaj tundjeje foshnja është përplasur disa herë me kokë në një objekt të fortë. Si pasojë, ajo ka vdekur disa ditë më vonë në spital, në stacionin për trajtim intensiv.
Gjyqtari duke prezantuar rastin ka thënë se “ne nuk dimë arsyen e shpërthimit të tij”. Nga deklarimet e ekspertit dhe vetë babait janë nxjerrë dy versione. I akuzuari thotë se ai ka qenë duke e mbajtur foshnjën në krahë. Pasi që ajo qante, ai është përkulur mbi tavolinën e vogël të kafes për të marrë një biberon (“cucull”, mashtruese fëmijësh), transmeton albinfo.ch. Në atë moment foshnja i ka rrëshqitur nga krahët dhe ka goditur me ballin e saj këndin e tavolinës si dhe ka rënë me pjesën e prapme të kokës në dysheme, mbi qilim.
Në “gjendje tronditjeje dhe paniku” ai e ka shkundur disa herë foshnjën me shpresë se do t`a zgjonte”. Ky ka qenë versioni të cilin e ka treguar avokati i babait.
Ndërsa sipas versionit të dytë, atij të prokurorit, babai mund të ishte nervozuar shumë nga qarja e vazhdueshme e foshnjës dhe nisur nga kjo, e ka tundur atë “me një forcë shumë të madhe”. Prokurori më tutje e ngarkon të akuzuarin se ai e kishte pranuar reagimin e tij të vrazhdë ndaj fëmijës së tij vetëm pasi që i ishte thënë se fëmija kishte pësuar një traumë nga dridhja.
Gjyqtari ka thënë në fund se çështja ka mbetur në “zonën gri” sa i përket qëndrimit se cili version është i vërtetë, përcjell albinfo.ch. Por ajo që gjithsesi qëndron është se “një fëmijë i vogël nuk guxon të tundet në këtë mënyrë”.
Nëna e foshnjës gjatë kohës kur ka ndodhur akti nuk ka qenë në shtëpi. Ajo dhe i akuzuari vazhdojnë të jetojnë si çift dhe kanë ndërkohë edhe një fëmijë tjetër.
I akuzuari me prejardhje nga Kosova, deri në shpalljen e vendimit gjyqësor ka qenë duke u mbrojtur në liri. Por duke qenë se ai nuk ka nënshtetësi gjermane, gjyqtari ka shprehur frikën se ai mund të arratisej dhe për këtë arsye ka kërkuar që ai të dorëzohej menjëherë në burgun për hetime, transmeton albinfo.ch. Për të siguruar arrestimin e tij në praninë e familjarëve të shumtë të të gjykuarit, gjyqtari ka urdhëruar sjelljen e 10 policëve në sallën e gjykimit.