Ish-anësori i Chelseat dhe Real Madridit, Eden Hazard thuhet se do t’i rikthehet futbollit këtë muaj në një ndeshje bamirësie në Francë.
Ish-reprezentuesi belg aktualisht është pa klub pasi shkëputi kontratën e tij me Real Madridin në fund të sezonit 2022-23. Mes spekulimeve në lidhje me të ardhmen e tij, Hazard është gati të hyjë përsëri në një fushë futbolli më 18 tetor dhe do të luajë për Varietes Club de France në një ndeshje bamirësie, shkruan Goal.
Ai do të bashkohet me fituesit e Kupës së Botës në Francë, Laurent Blanc dhe Didier Deschamps, dhe gjithashtu do të shoqërohet nga ish-shokët e tij të skuadrës në Lille, Yohan Cabaye dhe Mathieu Debuchy, sipas L’Équipe. Ndeshja do të luhet për një kauzë fisnike në Stade de L’Epopee në Calais para 12 mijë njerëzve.
Ndryshe, e ardhmja e 32-vjeçarit në futbollin profesionist mbetet ende e paqartë, pasi ai ende nuk ka bërë të ditur nëse do të lërë lojën apo do të vazhdojë karrierën e tij.