Në debatin për vdekjen natyrale ose jo të Enver Hoxhës, nuk është përfshirë vetëm Liliana Hoxha, por dhe bashkëshorti i saj, Sokoli. Edhe ai hedh dyshime se i ati, Enveri, mund të jetë helmuar.
Këtë gjë ai e shpjegon me faktin se Enverit iu ndërrua në mënyrë të dyshimtë doktori, pas një akuze nga e fejuara e vëllait të tij se ishte ngacmuar seksualisht nga mjeku.
“Mjek deri në vitin 1972 ka qenë Hektor Peçi. Formulohet një intrigë e ulët nga mbesa e Ramiz Alisë, e fejuara e vëllait tim, që pretendoi të ishte ngacmuar si femër prej doktorit. Synimi ishte të largohej Hektori dhe te sillej Isuf Kalo nga Hysni Kapo. Retrospektivisht, siç e njohim për ambicie patologjike karriere, intrigant dhe i paaftë, ai largohet në 1976 për një gabim banal ndaj meje, duke ngatërruar apendicitin me gripin. Por, ndërkohë, ai kthehet sërish në shtëpi. Atë e riktheu fillimisht mamaja me alibinë që unë e Liliana e vlerësonim, për t’iu servirur sërish babait, mbetur pa endokrinolog, prezantuar ky nga ajo si më i afti në këtë fushë”,- thotë Sokol Hoxha për “Panorama”.
Me këtë pohim, duket se edhe ky i fundit, mbështet pohimin e së shoqes se Enveri është helmuar nga e ëma e tij, Nexhmija, në bashkëpunim me Ramiz Alinë.
Liliana Hoxha ka folur edhe për prapaskenat që bëheshin në majën e kupolës së shtetit komunist pa dijeninë e Enver Hoxhës, por sipas saj nën regjinë e Nexhmije Hoxhës dhe Ramiz Alisë.
“Iliri ka qenë i përgatitur për të trashëguar pushtetin bashkë më të ëmën, Ramizin dhe djalin e tij, Arben Alia. Mua kjo tendencë më dukej qesharake, se nuk ishim dinasti. Por, nuk ishte qesharake. Ishte një plan shumë më i hershëm se Katovica”, ka thënë ajo.