Edhe Ismet Beqiri përgatitet për kryetar të Prishtinës!

Teksa Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka vendosur ende se kush do të garojë nga radhët e saj për postin e kryetarit të kryeqytetit në zgjedhjet lokale që mbahen në vjeshtën e këtij viti, dikush nga kjo parti duket se ka nisur nxehjen para fillimit të garës.

Ish-kryetari i Prishtinës, Ismet Beqiri, ka shtuar aktivitetet publike së fundmi, duke nxitur spekulimet se po bëhet gati të kandidojë për t’u rikthyer në postin që e mbante dikur.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, që qeveris vendin bashkë me Partinë Demokratike të Kosovës, po shihet gjithnjë e më shpesh në publik së fundmi.

Të dielën, Beqiri, i shoqëruar nga të rinjtë e Forumit Rinor të pesë degëve të LDK’së në Prishtinë, është angazhuar në pastrimin e ambientit përreth Liqenit të Badvocit.


Ditë më parë, ai është parë në Shkodër – po ashtu në shoqërinë e anëtarëve të Forumit Rinor të LDK’së – ku ka shkuar për të mbështetur nga afër Kombëtaren e Kosovës në futboll, në ndeshjen e saj përballë Islandës.

Më herët, Beqiri ka zhvilluar takime me studentë dhe aktivistë të shoqërisë civile, me të cilët ka biseduar, ndër të tjera, për zhvillimet aktuale politike.

Për aktivitetet e tij publike, Beqiri ka treguar personalisht në faqen e tij zyrtare, në Facebook, ku ka ndarë detaje nga angazhimet e tij.

Madje, Beqiri, që gëzon një numër jo edhe aq të madh të mbështetësve në rrjetin social, ka paguar Facebook’un që publikimet e tij të kenë një audiencë më të madhe – që për aktivitetet e tij të marrin vesh edhe ata që nuk janë ndjekës të tij.

Të gjitha këto zhvillime kanë nxitur spekulimet se Beqiri po përgatitet për të kandiduar për kryetar të Prishtinës, një post që e kishte mbajtur nga viti 2002 deri në vitin 2008.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme