Edhe Ministria e Drejtësisë kërkon t’i verifikohet Provimi i Jurisprudencës kryeprokurorit Lumezi

U bë javë që Enver Hasani, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ka thënë se kryeprokurori Aleksandër Lumezi, e ka të falsifikuar Provimin e Jurisprudencës.

Por, para se të nisë ky debat, Ministria e Drejtësisë kishte propozuar disa emra për anëtarë të rinj për Komisionin për Dhënien e provimit të Jurisprudencës, ndër këta emra është edhe Aleksandër Lumezi.

E për këtë, Gazeta Express ka biseduar me ministrin e Drejtësisë, i cili ka bërë të ditur se ka kërkuar nga organet e drejtësisë t’ia verifikojnë provimin e Jurispodencës kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Para se të fillojë debati për falsifikimin e provimit të Jurisprudencës së kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, Ministria e Drejtësisë kishte dhënë disa emra propozim për Komisionin për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, këtu duke përfshirë edhe të akuzuarin nga Enver Hasani për falsifikimin e këtij provimi, Aleksandër Lumezi, shkruan Gazeta Express.

Më 16 tetor të këtij viti, kërkesa e ministrisë për anëtarët e rinj të këtij komisioni janë: Aleksandër Lumezi, Haxhi Gashi, Nebojsha Boriqiq, Kadri Kryeziu dhe Enver Peci.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë të martën për Gazetën Express se ky propozim nuk do të pezullohet, pasi sipas tij, merr shumë kohë, por ai ka konfirmuar se ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të merren më këtë çështje.

“Kam kërku që me u verifiku, që mos t’i vëmë në lajthitje as deputetët e Kosovës, por as Qeverinë. Unë besoj se kjo çështje nuk do shumë punë, sepse kjo është lehtë e verifikueshme”, ka thënë ministri Tahiri.

Por, sa i përket pezullimit të kësaj kërkese, ministri tha se kjo gjë nuk ka nevojë të bëhet sepse merr kohë deri sa të hyjë në rend dite në parlament, andaj ai beson se organet e drejtësisë do ta verifikojnë provimin e Lumezit më shpejtë.

“Kemi të bëjmë me një çështje që besojmë se do të përmbyllet shpejtë, pasi që nuk e kemi të qartë nëse kemi të bëjmë me diçka të vërtetë, ashtu siç është pretendu, apo janë thjeshtë spekulime”, tha ministri për Express.

Propozimi i ministrit për anëtarët e rinj të komisionit të Jurisprudencës, do të futet në rend dite në një prej seancave të ardhshme të Kuvendit të Kosovës, e që për këtë, ministri Tahiri thotë se brenda kësaj periudhe gjithçka do të qartësohet.

“Organet e drejtësisë do ta qartësojnë nëse kemi të bëjmë më këtë çështje apo thjeshtë janë spekulime”, tha Tahiri.

Ish-rektori i UP-së dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, pas dënimit që iu shqiptua me një vit burgim me kusht, u ka dërguar mediave një email në të cilin pohon se Kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi e ka të falsifikuar provimin e Jurisprudencës.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese pretendon se raporti i tij dëshmon se Lumezi nuk e ka të vlefshëm ligjërisht provimin e Jurisprudencës.

E për këtë, vetë Lumezi pati thënë se pohimet e Hasanit mund t’i verifikojë gjykata, kështu duke prezantuar një dokument si kopje e origjinalit të kopertinës së provimit, për të cilin pati thënë se mbahet në Ministrinë e Drejtësisë.

Sipas kryeprokurorit, dokumentacioni origjinal për vitet 1986-1992, shihet emri i “Aleksandër Lumezit” dhe ka thënë se nuk ka asnjë ndërhyrje të asnjë lloji në atë dokument.

Image

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme