Gazetarët të caktuar që për vite kanë punuar në media vazhdojnë t’i futen politikës.
Është Mefail Bajqinovci i cili ka punuar për disa vite në KTV që sot i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje.
Këtë e ka bërë të ditur kreu i kësaj partie, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook ku ka shkruar për CV-në e tij.
Postimi i plotë i Kurtit:
Mefail Bajqinovci, është emër shumë i njohur për publikun. Si gazetar, autor dhe drejtues i deritanishëm i emisionit “Puls” në KTV, për 18 vite z.Bajqinovci ka krijuar një emër të pazëvendësueshëm në gazetarinë televizive.
Në publikun kosovar identifikohet si njëri nga udhëheqësit më të guximshëm të emisioneve televizive, duke dhënë një kontribut të çmuar në promovimin e gazetarisë hulumtuese dhe nxitjen e aktivizimit qytetar. Për 15 vjet rresht “Puls” ka goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin institucional duke sjellur informacione ekskluzive e skandale si dhe duke trajtuar problemet e ndryshme në shoqërinë kosovare, që nga menaxhimi i shtetit, e deri te politika, ekonomia, shëndetësia dhe çështjet sociale.
Z. Bajqinovci për këto 18 vite ka qenë një zë i fuqishëm kritik ndaj keqqeverisjes dhe abuzimeve me pozitat zyrtare, prona dhe haraç etj. Si rezultat i punës shumëvjeçare në gazetari, sot konsiderohet si njohës shumë i mirë i fushës së sundimit të ligjit.
Mefail Bajqinovci ka lindur dhe është rritur në Prishtinë. Ka mbaruar fakultetin e Komunikimit Masiv. Është trajnuar dhe çertifikuar në fushën antikorrupsion dhe siguri.
Z. Bajqinovci ka vendosur që t’i bashkohet VETËVENDOSJE!-s.