
Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër i Ambientit, Izet Mexhiti tha se po merren masa shtesë dhe paralajmëroi dënim për ndërmarrjen publike të Komunës së Likovës, e cila ka vazhduar me hedhjen e mbeturinave në deponinë ilegale në Nikushtak.
“Unë vetëm do të komentoj që dallimi është se ne pastrojmë, ata vazhdojnë të ndotin. Edhe kur e pastrojmë deponinë edhe kur e rrethojmë deponinë, fatkeqësisht opozita ose komunat që i udhëheqin ata, vazhdojnë t’i ndotin ato. Mirëpo këto ditë ne kemi marrë masa shtesë, do të vendosim kamera, do e dënojmë ndërmarrjen publike të komunës së Likovës, dhe do të mbyllet krejtësisht ajo deponi, sepse qëllimi është që aty të jetë terren i pastër, terren ku nuk do të ketë mbeturina,” tha Izet Mexhiti, Minisër i Mjedisit.
Edhe pse 10 ditë më parë u pastrua, deponia jnë Nikushtak, u mbush me mbeturina nga kamionët e ndërmarrjes publikë të Komunës së Likovës “Pisha”. Banorët e fshatrave për rreth Orllancë, Grushinë dhe Nikushtak të komunës së Haraçinës dhe asaj të Likovës protestuan dje, duke kërkuar zgjidhje të përhershme. Në të kundërtën paralajmëruan bllokim të vazhdueshëm të rrugës.
Kujtojmë se më 25 gusht, ministri i Ekologjisë Izet Mexhiti nga vendi i ngjarjes kur dhe filluan punimet për pastrimin e deponisë tha se Qeveria ka ndarë 5 milionë denarë dhe pajisje për menaxhimin e sigurt të mbeturinave. Ai pati deklaruar se me këtë vendim nis aksioni për mbylljen dhe sanimin e deponisë më problematike në vend. Paraprakisht deponia ishte rrethuar për të pamundësuar hedhjen e pakontrolluar të mbeturinave. /alsat.mk



