Edhe tri vetura me targa RKS digjen në Leposaviq

Shefi i kabinetit të presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se janë djegur edhe tri vetura të tjera në Leposaviq të serbëve që kishin targa RKS, ndërsa për këtë ka shtuar se fajtorët do të sillen para drejtësisë. Këtë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Vela në një postim në Twitter të shtunën ka thënë se strukturat ilegale të Serbisë po përdorin taktika kriminale dhe terrorizuese ndaj serbëve të Kosovës, ndërsa është shprehur i bindur se regjimi piroman i presidentit serb Aleksandar Vuçiq do të dështojë.

“3 vetura të tjera janë djegur në Leposaviq. Të diskredituara dhe me mbështetjen e pakësuar nga serbët e Kosovës, strukturat ilegale të Serbisë po përdorin taktika kriminale dhe terrorizuese. Sundimi i ligjit do të mbizotërojë dhe çdo fajtor do të sillet para drejtësisë. Regjimi piromane i Vuçiqit do të dështojë”, ka shkruar Vela në Twitter.

Policia ka treguar se djegia e tri veturave ka ndodhur në dy raste të ndara.

“Njëri rast ka ndodhur, më 1 prill 2023, në orët e hershme të mëngjesit (3:40h), në Leposaviq, afër qerdhes së fëmijëve, ku veturat ishin të parkuara skaj rruge. Një veture me targa RKS i është vënë zjarri, po ashtu nga zjarri është përfshirë edhe një veturë tjetër me targa të Beogradit që ishte afër veturës me targa RKS. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe zjarrfikësit që kanë fikur zjarrin. Rasti tjetër ka ndodhur po ashtu në Leposaviq, afër qendrës së sporteve, ku një veturë me targa RKS është djegur nga persona të dyshuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në të dy rastet, sipas Policisë, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe zjarrfikësit që kanë fikur zjarrin.

Ditëve të fundit janë raportuar disa djegie të veturave në katër komunat veriore, në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit, ku Lista Serbe ka vendosur të mos marrë pjesë. Ka pasur reagime ndërkombëtare që kanë dënuar këto veprime në veri.

Raste të ngjashme në veri janë raportuar edhe në fund të vitit të kaluar.

Atëbotë në veri ka pasur tensione, lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës që të gjitha veturat me targa ilegale serbe të riregjistrohen në RKS.

Në shenjë pakënaqësie me këtë vendim, por edhe për shkak të arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, serbët lokalë patën ngritur barrikada.

Më pas, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje për targat.

Kosova ka hequr dorë nga masat ndëshkuese, nëse nuk bëhet riregjistrimi i veturave, derisa Serbia ka thënë se nuk do të lëshojë më targa të reja për veturat që qarkullojnë në Kosovë.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme