Protestuesit janë mbledhur sot (6 qershor) për të shtatën ditë në Tiranë në protestën masive kundër qeverisë dhe për shkak të projektit të Zvërnecit.
Mijëra qytetarë, mes tyre edhe gra e fëmijë, të rinj e të moshuar, shoqëria civile dhe zëra të tjerë të pavarur, janë mbledhur së bashku në orën 18:00 me thirrje për rrëzimin e qeverisë dhe deri konfiskimin e pasurive.
Ndërsa kërkoi kujdes me aktet e dhunës, pasi tha se protesta ishte paqësore si dhe kujdes me flakadanët apo tymueset për shkak të dëmtimit të shëndetit, organizatori deklaroi se protesta nuk do të ndalet, duke ironizuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama.
“Ne nuk duam vetëm burgun, por edhe konfiskimin e pasurive, konfiskim të vërtetë. Ne duam konfiskimin e pasurisë që i përket popullit shqiptar”, tha ai mes të tjerash.
Thirrjet ishin nga më të ndryshmet:
“Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve”, “Berisha në burg, Rama në burg”. “Qeveria e krimit”, “Edi Rama ka mbaru, ka mbaru”, “Dorëheqje, dorëheqje”.
Më pas ata u derdhën në bulevard nga “Sheshi Skënderbej” për t’u grumbulluar para kryeministrisë.



