Kanë folur për mediat familjarët e 16-vjeçares e cila është abuzuar seksualisht prej 4 vitesh nga një i mik i familjes së saj.
Për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike që ndodhet babai i vajzës, jashtë kamerave kanë reaguar vëllezërit e tij, xhaxhallarët e të miturës, të cilët kanë kërkuar dënimin e 43-vjeçarit, Edison Shema.
“Rastin e morëm vesh nëpërmjet televizioneve. Nuk dinim asnjë gjë, sepse edhe vëllai nuk na ka thënë. Vumë re që dje nuk ishte fare në stallë familja e vëllait, as në shtëpi, dhe na ra në sy që mund të kishte diçka.
Nuk kemi folur me vëllain, sot kishte ardhur në mëngjes tek stalla dhe iku pa na folur. Edisoni duhet të dënohet për këtë që ka bërë, nuk e besojmë dot dhe nuk na e merrte mendja të arrinte deri këtu”, kanë thënë xhaxhallarët e të miturës.
Pas denoncimit të vajzës në prani të prindërve dhe psikologut, është bërë ekspertiza mjeko ligjore për të vërtetuar abuzimin seksual. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se vepra penale e “kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të mitur” është konsumuar.
Magazina në të cilën dyshohet se Edison Shema kryente marrëdhënie seksuale me të miturën, ndodhet ngjitur me stallën ku familja e vajzës mbante bagëtitë.
Prokuroria ka sekuestruar serverin e kamerave të vendosura në ambientin e brendshëm dhe të jashtëm të magazinës të cilat do të hedhin dritë mbi ngjarjen e rëndë.