Ministrja në largim e Dialogut, Edita Tahiri porositë Serbinë që të merren me zbatimin e tetë marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Në një prononcim për Indeksonline, ajo thekson se rifillimi i dialogut do të bëhet vetëm pas krijimit të institucioneve të reja në Republikën e Kosovës.
“Porosia ime për Serbinë dhe Vuçiqin është që le të merren me zbatimin e marrëveshjeve sepse janë tetë marrëveshje që Serbia nuk i ka zbatuar. Ndërsa rifillimi i dialogut bëhet pas krijimit të institucioneve të reja në Republikën e Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Ndërsa angazhimet e mëdha për rifillimin e dialogut nga ana e Serbisë, sipas Tahirit nuk i mbulojnë shkeljet që ata ia bënë marrëveshjeve.
“Serbia nuk mund të mbuloj shkeljet që ia bënë marrëveshjeve me deklarata boshe gjoja si angazhim për dialog”, ka shtuar ajo.
Ndryshe, ndërprerja e dialogut është bërë që në muajin mars të këtij viti, pas ndalimit që iu bë liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj me urdhërarrest të Serbisë në Francë.