Efekti BESA: si i është vërsulur shteti maqedon entit botues “Logos – A”

Në do të kërkosh një punë të bereqetshme shqiptarësh në Maqedoni, me plot sharm intelektual; një afirmim kulturor që vërtet zgjon zili, do ishte padyshim Logos – A, shtëpia e njohur botuese, e cila prej më shumë se çerekshekulli, është prijëtare e botimeve shqiptare në Maqedoni, duke qenë elitare dhe në nivel mbarëshqiptar.

Nuk janë vetëm autorët dhe titujt, por dhe emra si Xhevat Lloshi, koka e gjuhës shqipe ende në të gjallë, të cilët kanë mendjen dhe dorën e tyre në Logos – A, duke bërë dhe shërbimin më të madh ndaj shqiptarëve në hapësirat rajonale, me një cilësi shqipeje që në asnjë rrethanë të deritashme nuk do e mësonin dot. Pra, një tempull kulture më vete, në kushtet e një getoizmi kulturor të imponuar.

Mjaft të marrësh në dorë një botim me shenjën Logos – A për të kuptuar se ke të bësh me shqiptarë të iluminuar e fisnikë, duke nisur që nga kopertina plot fantazi e finesë e deri tek kualiteti i lartë i shqipes në të. Por të gjitha këto do të vlenin vetëm për atë skotë njerëzish të cilët, në mos ndjeshmëri intelektuale, janë së paku atdhetarë. Por ja që nervi politik i tyre prej biçimsëzësh nuk e ka asnjërën e as tjetrën.

Fakti që disa prej eksponentëve të BESËS në Maqedoni, partisë e cila po bën historinë në skenën politike maqedonase, kanë dalë nga kjo shtëpi botuese si njerëz të mirëfilltë letrash, specialistë të fjalës e po ashtu intelektualë të fisëm, ka bërë që shteti, aty ku janë mbledhur taboret partiake të VMRO-së e BDI-së, ende në aleancën që rrjedh nga pushteti i kaluar, të zbarkojnë çdo ditë që ka dhënë Zoti aty, tek Logos – A, për t’i parë letrat se mos kinse nuk shkon diçka në emër të ligjit, ku qëllimi është ndëshkimi si hakmarrje për atë çfarë doli nga ky ent botues, një zë që u bë balsam për shqiptarët e zhgënjyer në këto kohë të vështira.

Prej javësh aty paraqitet ndonjë inspektor i Policisë Financiare, i Drejtorisë së të Ardhurave Publike, i Ministrisë së Kulturës apo i ndonjë agjencie a drejtorie tjetër, me të vetmin qëllim që Logos – A të rrënohet.

Kjo ka zgjuar reagimin e një sërë zërash publikë në Maqedoni e më gjerë, pasi është ndër të rrallat raste kur një shtet i vërsulet një shtëpie botuese; që për më tepër gëzon një njohje dhe reputacion të padiskutueshëm në botën e letrave në mbarë hapësirat shqiptare.

Dhe nuk do ishte dhe aq e dhimbshme sikur këtë ta bënin vetëm maqedonasit; të cilët tek e fundit i kanë të gjitha arsyet – e mosarsyes, kuptohet – për të sulmuar diçka shqiptare, aq më tepër kur prej saj vjen era kulturë, qoftë kur kjo kulturë shfaqet edhe si ngjyrim politik; por kur sheh se krah tyre qëndrojnë edhe shqiptarë, nga ata të hatërmbeturit politikë që katandisen në çakej, situatën e pllakos një trishtim i madh.

Ngushëllim në këtë rast është vetëm fakti që BESA qenka vërtet e fortë, vërtet kokëçarëse për ta, gjersa i janë sulur…vendit të punës së dy prej eksponentëve të saj; por që në fakt është një krenari shqiptare; dhe për më tepër intelektuale. /tesheshi.com/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme