Gazetar: Angell Dimovski
„Çmimet thyejnë rekorde“, „vështirë arrijmë ta përmbyllim muajin“, „Para festës i shtrenjtuan çmimet“ – janë disa nga komentet e qytetarëve në prag të festës së Kurban Bajramit për rritjen e papritur të çmimeve të produkteve. Ata thonë se çmimet po rriten me shpejtësi marramendëse, ndërsa festa po bëhet më shumë barrë financiare sesa gëzim shpirtëror.
„I rrisin çmimet, çka tjetër, edhe në tregje edhe për çdo gjë,“ tha një qytetar.
„Çfarë komenti, nuk kam fare koment, ata bëjnë atë që duan.“
„Jo, jo, unë me 20 mijë denarë nuk mundem asgjë, nuk mund të blej asgjë, ata që fitojnë më shumë, kanë fëmijë jashtë vendit, mund të blejnë, por me këtë pagë është vështirë.“
„Mendoj që po, janë të larta. Me të ardhurat bazë mund të mbyllet muaji? Nuk mundet.“
„Me të vërtetë kemi çmime shumë të larta, gjithçka është ngritur, me pensionin minimal nuk bëjmë asgjë, të them sinqerisht. Duhet t’i ulin çmimet sepse janë të tmerrshme.“
Nga Inspektorati Shtetëror i Tregut muaj më parë njoftuan se do të bëjnë analizë të çmimeve në rrjetet e marketeve dhe se rezultatet do t’i dorëzojnë Ministrisë së Ekonomisë dhe Qeveri. Pas kësaj, nëse konfirmohet se tregtarët i kanë rritur çmimet, do të merren masa të reja.
Inspektorati i tregut sot për Alsat njoftoi se raporti është në fazën përfundimtare dhe se janë kontrolluar mbi 100 rrjete marketesh, importues dhe distributorë.
“Analizat janë në fazën përfundimtare, janë kontrolluar mbi 100 subjekte juridike të marketeve, importues dhe distributorë. Javën e ardhshme do t’i dorëzojmë raportin Ministrisë së Ekonomisë, pas çka ata do t’i propozojnë qeverisë nëse ka nevojë për masa shtesë,” tha Inspektorati Shtetëror i Tregut.
Masa e fundit ishte kufizimi i marzhës bruto të fitimit, e cila u vendos pasi inspektorët gjetën marzhe te tregtarët madje edhe mbi 70 për qind. Që atëherë kanë kaluar më shumë se një muaj dhe masa të reja nuk janë ndërmarrë, megjithëse çmimet po rriten përsëri. /alsat.mk