Subjektet politike shqiptare të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, më në fund, kanë arritur konsensusin për votimin e Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit Shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili gjatë dy ditëve të fundit kishte mbledhur në zyrën e tij partitë politike në tentim për ta gjetur një zgjidhje, më në fund gjatë ditës së sotme ka arritur ta nxjerrë një dakordim me Kryeministrin Ramush Haradinaj, pasi që LDK dhe AAK ishin vetmet që deri më tash kishin kundërshti sa i përket Nenit 3 të Projektligjit për Demarkacionin.
Veseli ka takuar sot Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli, takim ky që ka rezultuar i suksesshëm në arritjen e konsensusit ndërpartiak për përmbylljen e çështjes së shënimit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Seanca e jashtëzakonshme për votimin e Marrëveshjes së Demarkacionit do të mbahet këtë të mërkurë, kur vendin pritet ta vizitojë edhe Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker./GazetaBlic/