Ekskluzive: BDI dhe VMRO janë marrë vesh për qeverisje, ja disa detaje!

BDI dhe VMRO-DPMNE janë marrë vesh për pikat kryesore të marrëveshje për koalicion të ri dhe kjo marrëveshje pritet të shpallet së shpejti.

Nga burime partiake merren vesh disa detaje lidhur me konstruktin e marrëveshjes. Marrëveshja përmban pjesë për avancim të përdorimit të gjuhës shqipe në komunat ku jetojnë shqiptarë, ndoshta edhe aty ku shqiptarët nuk janë 20 për qind, por jo edhe për zyrtarizim të gjuhës shqipe në mbarë territorin. Informacioni për arritjen e marrëveshjes për koalicion ka gjasa të shpallet gjatë uikendit të ardhshëm, në momentin e fundit të skadimit të mandatit të Gruevskit për të formuar kabinetin qeveritar, shkruan Gazeta Lajm.

Deri atëherë, pritet të vazhdojnë publikimet e teksteve dhe kolumnave të paguara nga disa gazetarë anonimë nga Shqipëria dhe Kosova, për të krijuar teren për koalicionim të ri VMRO-BDI, me arsyetim se duhet të respektohet parimi “shumica me shumicën”. Në tentimin për të shmangur sa më tepër që është e mundshme pakënaqësinë e opinionit shqiptar ndaj koalicionimit të ri të BDI-së me VMRO-DPMNE-në, gazetarë dhe mediume nga Maqedonia të afërta me BDI-në, do të shpeshtojnë tekstet kundër Lëvizjes Besa, e madje edhe kundër LSDM-së. Do të përforcohet fushata se Gruevski nuk është më i keq se Zaevi, fushatë për të cilën edhe vetë krijoi teren kryetari i LSDM-së, duke u takuar me Ali Ahmetin e BDI-së. Edhe pse nuk ka konfirmim zyrtar, thuhet se për të defokusuar opinionin nga vazhdimi i jaranisë Ahmeti-Gruevski, Aleancës për Shqiptarët i është ndarë roli nga VMRO-ja dhe BDI-ja, që gjatë periudhës së debatit dhe votimit për qeverinë e re të merret sa më tepër me Lëvizjen Besa, në stilin “ku i mori Besa dy milionë, ku i mori tre milionë?”.

Siç njoftojnë për Gazetën Lajm burime partiake, BDI do të vazhdojë traditën që marrëveshjen me VMRO-DPMNE-në ta fshehë nga opinioni shqiptar, me çka do të dëshmojë se më tepër i beson VMRO-DPMNE-së se sa shqiptarëve.

Këto burime shtojnë se në qendrën e VMRO-së për informim kanë filluar të përgatiten tekste bombastike që do të publikohen në mediume të afërta me BDI-në, e ku do të glorifikohen si arritje të mëdha historike marrja e disa posteve të reja nga kuadro të BDI-së. Në këtë mënyrë VMRO ia kompenson BDI-së besnikërinë edhe për një mandat të ri qeveritar.

Në krijimin e terrenit që koalicioni i ri VMRO-BDI të kalojë sa më padhembshëm te shqiptarët, burimet tona thonë se do të kyçet edhe Serbia, sepse Beogradi ka interes strategjik që të vazhdojë ky koalicion. Problematizimi pas shtatë viteve i çështjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës prej Maqedonisë, nga ana e ministrit të jashtëm serb Ivica Daçiq, është në funksion të krijimit të bindjes se VMRO dhe BDI gjatë kohës sa janë partnerë mes veti kanë bë punë të mëdha për shqiptarët kundër Serbisë, edhe pse dihet botërisht se Maqedonia e njohu pavarësinë e Kosovës për shkak të presionit ndërkombëtar, e jo për shkak se dëshironte VMRO-ja, apo për shkak se BDI ishte në gjendje që të kushtëzojë partnerin e saj.

Nuk dihet ende se si do ta kompensojë qeveria e re VMRO-BDI këtë ndihmesë në krijimin e terrenit për formim të koalicionit nga ana e Beogradit, por është shumë e qartë se një gjë e tillë do të bëhet në dëm të shqiptarëve. Nga burime partiake marrim vesh se skenari për defokusim të opinionit nga “përqafimi” i radhës i BDI-së me VMRO-DPMNE-në është përgatitur mirë dhe është mjaft i kushtueshëm, por problemi për partinë e Ahmetit është se shqiptarët e kanë provuar “çorbën” e tyre dhe nuk i besojnë më asnjë skenari të mundshëm.

Nga VMRO dhe nga BDI nuk konfirmojnë ende asgjë zyrtarisht./Lajmpress.com

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme