Bashkimi Demokratik për Integrim është gati të hyjë në qeveri me VMRO – DPMNE. Një veprim të tillë ia legjitimon edhe deklarata e përbashkët e përfaqësuesve të partive politike shqiptare në Maqedoni, të cilët kanë shprehur përkushtimin e tyre për realizimin e të drejtave kombëtare në mandatin e ardhshëm qeveritar nëpërmjet mbështetjes së ndërsjellë në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutën e Maqedonisë.
Burime të portalit Sakte.net të afërta me BDI bëjnë të ditur se ky ka qenë edhe angazhimi i BDI – së ndër vite.
“Zyrtarizimi i MKO ka qenë kryefjalë e përkushtimit të BDI –së, sikundërse edhe zyrtarizimi i gjuhës shqipe që ka qenë një prej zotimeve kryesore tona siç kanë qenë edhe kërkesat e tjera të paraqitura në këtë document të përbashkët”, kanë bërë të ditura shkurt burime të portalit Sakte.net Brenda BDI – së duke sinjalizuar se së shpejti pritet edhe formimi i qeverisë VMRO DPMNE dhe BDI që bashkërisht përbëjnë 61 mandate në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë.
Zbatimi i përpiktë i parimit të multi-etnicitetit në Kushtetutën e Maqedonisë, ku shqiptarët njihen si popullsi shtet-formuese. Mbështetje e çdo iniciative ligjore dhe kushtetuese që përforcon barazinë etnike për popullsinë shqiptare. Arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj, janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë”, thuhet në deklaratën e arritur pas takimeve që drejtuesit e partive politike të Maqedonisë që i realizuan me drejtuesit e shtetërorë të Shqipërisë dhe Kosovës..
Partitë, gjithashtu, angazhohen për “debat gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetërore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multi-etnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike”; mbështetje të plotë për punën e Prokurorisë Speciale, si dhe “zbardhjen e plotë e çështjeve dhe proceseve gjyqësore si “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra” dhe “Kumanova” nëpërmjet një komisioni hetimor ose një trupe të pavarur ndërkombëtare”.
Në dokument janë edhe kërkesat për arritjen e barazisë ekonomike dhe mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal ndërsa kërkohet edhe formimi një i një ministrie për sistem politike dhe marrëdhënie me komunitetet, si dhe realizimi i përfaqësimit të drejtë në organet e sigurisë, ushtrisë, inteligjencës dhe të drejtësisë.
Presidenti Gjorge Ivanov ia ka dorëzuar mandatin për konstituimin e Qeverisë në Republikën e Maqedonisë Nikolla Gruevskit, kryetar i partisë politike VMRO-DPMNE. Përbërja e nëntë parlamentare të Maqedonisë, e cila ka 120 të përzgjedhur të popullit, u konstituua më 30 dhjetor të vitit të kaluar. Më së shumti deputetë ka koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE 51, Koalicioni i kryesuar nga LSDM ka 49 mandate, BDI 10, Besa 5, Aleanca e shqiptarëve 3 dhe PDSH 2.
Përndryshe, Gruevski ka deklaruar se nëse BDI nuk futet me ta në koalicion atëherë ata duhet të mendojnë se si i morën në koalicion në vitet 2008, 2011 dhe 2014. Në paraqitjet e fundit ai ka shfaqur shenja se është i gatshëm të negociojë për disa kërkesa të shqiptarëve. Deri më tani zyrtarisht vetëm BDI dhe PDSh nuk e kanë mohuar e as pohuar një mundësi të tillë./Sakte.net