Prokuroria Themelore në Prizren, ka lëshuar flet-arrest ndaj pronarit të kompanisë “Euro Ida” Anton Jupa, lidhur me importimin e mishit nga kompania e dyshimtë belge “Veviba”.
Kështu ka bërë të ditur për “Gazeta Blic” një burim i mirëinformuar brenda Policisë së Kosovës. Sipas të njëjtit burim, biznismeni kosovar aktualisht ndodhet në arrati.
Drejtori i kompanisë “Euro Ida” ka pranuar se kishte importuar mish nga kompania belge në vitin 2016.
Rreth dy javë më parë, Agjencia Federale për Sigurimi të Ushqimit (FASFC) në Belgjikë, pas një hetimi që zgjati dy vjet, njoftoi se kompania “Veviba” ka funksionuar në kushte të papranueshme sanitare, dhe ka manipuluar me përmbajtjen e mishit sikurse edhe me etiketat për afatin e përdorimit.
Agjencia Federale për Siguri të Ushqimit (FASFC) kishte thënë se ka mbyllur fabrikën përpunimit të mishit “Verbist Group” si dhe frigoriferin “VEVIBA” në Bastogne, në Belgjikën jugore, pas rastit të mashtrimit. /Gazeta Blic/