Ekspertët e Riinvestit përfitojnë mijëra euro nga Kuvendi dhe Qeveria

Deputeti Muhamet Mustafa vitin e kaluar ndërmori një iniciativë, nëpërmjet të cilës dolën përfitues dy njerëz të cilët përgjatë viteve kanë pasur raporte pune me institutin Riinvest dhe kolegjin me të njëjtin emër. Mijëra euro u paguan për ta nga Kuvendi i udhëhequr nga Kadri Veseli dhe Qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa.

Deputeti i LDK-së, Muhamet Mustafa, me bekimin e kryeparlamentarit Kadri Veseli angazhoi gjashtë ekspertë ndërkombëtarë për të ndihmuar në hartimin e  ligjit për Trepçën.

Shteti shpenzoi 27 mijë euro për këshillat e ofruara nga ta, duke e paguar secilin nga 4 mijë e 500 euro, bazuar në raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës.

Angazhimi i tyre nga Kuvendi i Kosovës u bë pa shpallur konkurs apo tender publik.

Insajderi ka zbuluar se dy prej gjashtë ekspertëve kanë pasur qëmoti raporte me biznese të deputetit Mustafa, i cili ua mundësoi që të përfitojnë mijëra euro nga buxheti publik.

Dy ekspertët Iraj Hash dhe Florian Kongoli, kanë pasur raporte biznesi me institutin dhe kolegjin Riinvest, dy biznese  të cilat janë krijuar nga deputeti Mustafa, kryeministri  Mustafa dhe miqtë e tyre afaristë.

Eksperti Iraj Hash ka qenë i angazhuar në projekte të ndryshme të Riinvest, që prej vitit 1999. Kurse Florian Kongoli figuron se është profesor vizitor në Riinvest.

Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës nuk kanë dhënë përgjigje në pyetjen se në bazë të të cilave kritere janë angazhuar dy profesorët, të cilët janë të ndërlidhur me biznese të deputetit të LDK-së dhe kryeministrit Mustafa.

Përveç Iraj Hash dhe Fatos Kongollit, të angazhuar kanë qenë edhe Krassen Stefanov Stanchev, Mark Craëford, Erol Katircioglu dhe Keneth Edëard Jackson.

Mustafa mori bekimin e Kadri Veselit për të angazhuar gjashtë ekspertët

Deputeti i LDK-së, Muhamet Mustafa, propozoi emrat e gjashtë ekspertëve në mbledhjen e komisionit parlamentar të mbajtur më 14 janar të vitit 2016.

Mustafa është kryetar i këtij komisioni. Bazuar në procesverbalin e kësaj mbledhjeje, Mustafa atë ditë u kishte treguar kolegëve të tij deputetë se ideja e angazhimit të ekspertëve ndërkombëtarë ka lindur gjatë takimeve që ka pasur me kryeparlamentarin Kadri Veseli.

“Jemi pajtuar se është shumë me rëndësi që të mësojmë nga përvojat e avancuara ndërkombëtare në trajtimin e rasteve të ngjashme. Prandaj, kemi propozuar që të bëhen disa studime rasti nga ekspertë, specialistë të kontraktuar, që të përgatisin studime rasti”, kishte pohuar Mustafa.

Pasi u ka treguar se ka marrë bekimin e Kadri Veselit për t’i angazhuar ekspertë ndërkombëtarë, Mustafa i ka përmendur me emër njerëzit që planifikon t’i angazhojë.

Detyra e tyre, sipas Mustafës, ishte që të dorëzojnë në komision një raport për ndonjë rast të ngjashëm me ndërmarrjen Trepça.

Mustafa thoshte se ekspertët nëpërmjet ilustrimit të një rasti të caktuar do të sugjerojnë se si duhet vepruar Kuvendi dhe Qeveria lidhur me ndërmarrjen Trepça.

“Komisioni mbështeti propozimin e Kryetarit të Kuvendit për angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë, për të marrë përvojat e avancuara ndërkombëtare në trajtimin e rasteve të ngjashme, siç është rasti me ndërmarrjen “TREPÇA”, sipas detyrës së propozuar projektuese”, thuhet në procesverbalin e kësaj mbledhjeje.

Qeveria dhe Kuvendi nuk japin përgjigje përse u përzgjodhën pikërisht njerëzit e Riinvest-it

Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Kuvendi i Kosovës se pse janë angazhuar pikërisht njerëzit që kanë pasur relacione me biznesin, në të cilin ka aksione kryeministri Mustafa dhe deputeti Mustafa.

Përgjigje në këtë pyetje nuk ka dhënë as zyra e kryetarit Veseli e as Komisioni Parlamentar për Zhvillimit Ekonomik, i cili udhëhiqet nga deputeti Mustafa.

Nëpërmjet Ismet Krasniqit, sekretar i Kuvendit të Kosovës, kanë sqaruar se nuk ka pasur tender publik për angazhimin e tyre. Por,  angazhimi i tyre është bërë bazuar në “Rregulloren e Kuvendit dhe praktikat për angazhimin e ekspertëve individualë dhe pagesën e honorarëve për ekspertizën e tyre”.

“Komisioni ka propozuar listën e ekspertëve të cilët janë aprovuar në Kryesi të Kuvendit më datë 22.1.2016, me pjesëmarrje të pagesës me 50% të Qeverisë”, ka deklaruar Krasniqi për Insajderin.

Por, në vitin 2016 është bërë edhe një shpenzim tjetër i madh lidhur me kontraktimin e studimeve për ndërmarrjen “Trepça”.

Agjencia Kosovare e Privatizimit kontraktoi konzorciumin “HPC dhe Ernst&Young”, për “ofrim të shërbimit profesional për realizim të Studimit të Fizibilitetit të Trepçës me Orientim Strategjik për zhvillim të saj”.

Insajderi ka pyetur zyrën e kryetarit Veseli dhe përgjegjësit e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik se pse ka qenë e nevojshme që të angazhohen edhe ekspertë individualë, por edhe kompani private për të kryer shërbim të ngjashëm-këshilla për orientimin strategjik të Trepçës?

“Kjo është një çështje e ndarë dhe sipas informatave, ka të bëjë më aspekte tjera”, ka deklaruar Krasniqi.

Megjithatë, edhe konzorciumi i përbërë nga kompanitë HPC dhe Ernst&Young  e ka përafërsisht të njëjtën detyrë me ekspertët individualë. Detyra e konzorciumi është që të japë sugjerime se çfarë hapa duhet ndërmarrë në të ardhmen për të vënë në jetë gjigantin e fjetur metalurgjik, Trepçën./Insajderi.com

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme