Eksperti i gjenocideve: Ajo që po shohim në Gaza është “përsëritje e Aushvicit”

Sipas një aktivisti të shquar të të drejtave të njeriut dhe studiues i gjenocidit, ajo që po ndodh në Gaza është një “përsëritje e Aushvicit” dhe “gjenocid kolektiv i njeriut të bardhë imperialist”.

Maung Zarni, i nominuar për Çmimin Nobel për Paqe këtë vit për punën e tij të gjatë prodemokratike dhe hulumtimin mbi gjenocidet, beson se është e qartë se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza.

Aktivisti dhe studiuesi nga Mianmari, i cili ka studiuar gjerësisht gjenocidet dhe kampet naziste të përqendrimit, tha për Anadolu se ai i “ka kushtuar vëmendje asaj që është bërë nga Izraeli, jo vetëm që nga 7 tetori… (por) për dekada”.

Gjenocidi është thjesht “shkatërrimi i një popullsie ose popullsive nën pushtim”, shpjegoi ai në një intervistë për Anadolu.

“Palestinezët kanë jetuar nën okupimin izraelit për më shumë se 50 vjet”, tha Zarni, i cili është nominuar për çmimin Nobel nga fituesja e vitit 1976, Mairead Corrigan Maguire.

“Jo vetëm në Gaza, por në të gjitha territoret e pushtuara… Ka 3 milionë palestinezë në Bregun Perëndimor gjithashtu nën okupim”, shtoi ai.

– GJND-ja “ishte e bindur nga provat”

Duke iu referuar çështjes kundër Izraelit të paraqitur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) nga Afrika e Jugut, Zarni tha se gjykata zakonisht merr “gjykime ose vendime shumë konservatore”.

Megjithatë, “një shumicë dërrmuese e gjyqtarëve të GJND-së vendosën që çështja e paraqitur nga Afrika e Jugut përmbushte kushtin e tyre të besueshmërisë së gjenocidit”, tha ai.

“Gjykata u bind nga provat e paraqitura”, theksoi ai, duke shtuar:

“Përballë provave të paraqitura brenda një dite të vetme, (gjykata) ishte e bindur se Izraeli me shumë gjasa, në mënyrë shumë të besueshme, po shkel detyrimet e tij sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit”.

– “Përsëritje e Aushvicit”

Zarni tha se ajo që ka ndodhur në Gaza për më shumë se 200 ditë tani “është vetëm episodi i fundit”, duke pohuar se “Izraeli ka institucionalizuar shkatërrimin e popullsisë (palestineze)”.

“Ajo që po shohim në Gaza është thjesht shfarosje masive pa dhomat e gazit”, tha ai, duke iu referuar metodës brutale naziste të vrasjes së të burgosurve në kampet e përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Nuk keni nevojë të shkatërroni një popullatë vetëm me dhoma gazi. Nëse jeni në gjendje të bombardoni masivisht… 80 për qind të hapësirës së jetesës, zonës së banimit, shumicës së shkollave, spitaleve, ju po shkatërroni popullsinë”.

Zarni përmendi gjithashtu deklaratën e presidentit izraelit Isaac Herzog se “askush në Gaza nuk është i pafajshëm”.

“Këta janë 2,3 ose 2,4 milionë palestinezë, përfshirë foshnjat. Gjysma e 2,3 milionë palestinezëve janë fëmijë dhe të rinj”, tha ai.

“Pra, ajo që po shohim është përsëritja e Aushvicit në Gaza”, shtoi Zarni.

– “Ndëshkim kolektiv”

Zarni tha se ai e ka vizituar Aushvicin katër herë për kërkime.

“Kam bërë një dokumentar për burmezët për Aushvicin. Në Aushvic, marrja e kalorive llogaritej në çdo detaj nga SS (skuadrat e vdekjes e elitës naziste)”, shpjegoi ai.

“Kur të burgosurit hebrenj vranë 4 oficerë SS dhe hodhën në erë një krematorium me ndihmën e punëtorëve polakë nga një fshat aty pranë, nazistët “u përgjigjën me ndëshkim kolektiv, duke vrarë gjithë kazermën e 500 të burgosurve hebrenj në Aushvic-Birkenau, kampi më i madh”, tha ai.

“Kjo është ajo që ne po shohim sot, sepse rezistuesit e Hamasit vranë 1.000 ushtarë izraelitë dhe civilë në zonat ku fillimisht 11 fshatra palestineze ishin fshirë nga dheu dhe sionistët u zhvendosën aty”, tha Zarni.

“Pra, çfarë bënë Izraeli, ushtria izraelite dhe qeveria Netanyahu? Ata miratuan strategjinë SS të ndëshkimit kolektiv”, theksoi eksperti.

– “Gjenocidi i të bardhëve”

Zarni theksoi gjithashtu rolin e vendeve perëndimore në gjenocidin e Gazës, duke kritikuar mbështetjen e tyre ndaj qeverisë izraelite.

“Ky nuk është thjesht gjenocidi i Izraelit. Ky është një gjenocid kolektiv”, tha ai.

“Ky është gjenocidi i njeriut të bardhë imperialist, gjenocidi i të bardhëve. Vetëm shikoni sasinë e parave dhe armëve që i janë dhënë Izraelit, së pari nga SHBA-ja, së dyti Britania dhe së treti Gjermania, dhe ka pasur aq shumë shtete evropiane që janë ngritur në mbrojtje të qeverisë izraelite të ngjashme me nazistët”, shtoi aktivisti i të drejtave.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme